LSDM nuk heqë dorë nga ideja për të miratuar në Kuvend një rezolutë me linja të kuqe rreth procesit të eurointegrimeve

LSDM-ja opozitare nuk heqë dorë nga ideja për të miratuar në Kuvend një rezolutë me linja të kuqe rreth procesit të eurointegrimeve. Pasi dje kryeministri refuzoi një propozim të tillë, duke theksuar se kjo është vetëm një dinakëri e LSDM-së, Venko Filipçe sot megjithatë theksoi që do të përgatisin një propozim me qëllim të zhbollkimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne praktikisht jemi në fazë kur bisedimet i kemi braktisur dhe kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodh. Për atë do të përgatisim një dokument i cili do të jetë version pune, do ta ofrojmë gjatë kësaj jave, në të cilin vlerësoj se do të futen të gjitha aspektet që janë të rëndësishme për shtetin. Do t’i përmendim të gjitha deklaratat paraprake, do t’i përmendim obligimet që janë marrë në kuadër të propozimit-francez dhe do të japim propozim se si ne, si LSDM vlerëson të vazhdohet më tej”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Ndaj propozimit të opozitës për të votuar një rezolutë e cila do të parashikonte braktisje të bisedimeve nëse vendoset veto e re, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Sipas tij, Filipçe është kundërthënës, pasi që nga njëra anë flet për ndryshime kushtetuese, ndërsa nga ana tjetër për braktisje të bisedimeve nëse ka bllokadë të re.

“Qasja e tillë nuk sjellë siguri, por pasiguri për drejtimin në të cilin duhet të shkojë shteti… Dokumentet e përbashkët që janë miratuar në Kuvend nuk sollën kurrfarë fuqie, por dobësi, u deroguan menjëherë sapo paraqitej ndonjë sfidë… Qasja jonë është më e ndryshme. Punojmë në zgjidhje që sjellin zhvillim të përhershëm – jo të bllokadave që përsëriten”, u shpreh Timço Mucunksi, ministër i Punëve të Jashtme.

Bisedimet me Bashkimin Evropian kanë mbetur në qorrsokak pasi që Maqedonia e Veriut nuk i ka bërë ndryshimet kushtetuese, me të cilat duhet të futen bullgarët në Kushtetutë. Obligimi që është bërë pjesë e kornizës negociuese, duket se ka ngecur për shkak se qeveria aktuale kërkon garanci që të mos i vendosen veto të reja që nuk kanë të bëjnë me kapitujt, por që lidhen me historinë e vendit dhe popullit maqedonas. /Alsat.mk