Shkruan: Fejzi HAJDARI
Tanimë që fushata elektorale ka filluar, ndërsa bashkë me të kanë filluar edhe premtimet, akuzat, idetë, projektet, dhe çfarë jo? Diçka që duket e rrezikshme në syprinën paraelektorale, janë akuzat e hedhura për projektin fashizoid e hegjemon serb “Bota Serbe”, i cili për model e frymëzim, e ka projektin “Bota Ruse”, që sot po e kërcënon botën me Luftën e Tretë Botërore. Projekti serb, sikurse edhe të gjitha projektet tjera serbe për zhdukjen dhe shpopullimin e popujve të rajonit, janë pjellë e Akademisë Serbe (SANU) dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Akuzat e këtilla që kanë të bëjnë me “Botën Serbe”, për habinë e të gjithëve, i ka hedhur pikërisht BDI-ja. Akuza këto të cilat të cilat i ngjajnë një loje të rrezikshme, e që për qëllim ka përçarjen ndërshqiptare dhe mjegullimin e realitetit, me qëllim të përfitimeve elektorale në prag ta zgjedhjeve… Mirëpo, realisht kjo fushatë sikur po krijon sindromë, e praktikë negative ndërshqiptarët, në kuptimin që edhe veprimet e caktuara negative të partive të caktuara shqiptare, me anë të propagandës, mashtrimit e makinacioneve, mund të maskohen apo fshihen nga mbamendja kolektive e shqiptarëve…
Por t’i hedhi një vështrim veprimeve të mëhershme të atyre që ishin për 22 vite në qeveri, e të cilët sot me propagandë të çoroditur e të frikshme, shohin rrezik, sic thonë ata, nga “Bota Serbe”!
Dihet mirëfilli se Ali Ahmeti dhe BDI-ja, janë ata që viteve të fundit gjatë takimeve me kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin serb Vuçiq në Maqedoni, kanë bërë përpjekje maksimale për të na bindur se “Open Ballkani”, që është paradhomë e “Botës Serbe”, është projekt i favorshëm për shqiptarët në rajon. Sesa është i këtillë apo atillë “Open Ballkani”, më së miri dëshmoi tërheqja e Edi Ramës nga ky projekt, pas vërejtjeve të shumta nga ndërkombëtarët dhe Bashkimi Evropian (BE).
Pra, BDI-ja dhe krerët e sajë, duke filluar nga Ali Ahmeti, Artan Grubi e Bujar Osmani, me mish e shpirt orvateshin që “Open Ballkani” të depërtonte si projekt në hapësirat shqiptare, edhe pse i njëjti ishte zier në kuzhinën serbe, respektivisht u promovua në qytetin serb Novi Sad, në vitin 2019, nga Edi Rama e Vuçiqi. Rjedhimisht, ata, pra BDI-ja, nuk ka të drejtë minimale morale, të akuzojë dikë tjetër për “Botën Serbe”, sepse, askush sa dhe si BDI-ja, nuk ka kontribuar për paradhomën e “Botës Serbe”, që është “Open Ballkani.
Ali Ahmeti ishte ai që fotografohej në kishë me priftin dhe Vuçiqin, gjatë takimit me presidentin serb. Ishte Bujar Osmani ai që fotografohej me buzëqeshje, herë më ministrin serb Marko Gjuriq, herë me Vuçiqin e Daçiqin. Poashtu, ishte pikërisht Bujari, ai që përgatiti Raportin “9-Pikësh” të OSBE-së, që kërkonte tërheqjen e policisë së Kosovës nga veriu, bashkë me 4 kryetarët shqiptarë të komunave në veri të Kosovës. Në këtë kuadër, duhet të përmendet edhe instistimin i Bujar Osmanit në cilësinë e ministrit të Jashtëm, për ta patur mysafirë ministrin rus Sergej Llavrov, në samitin e OSBE-së në Shkup, edhe pse Bullgaria të njëjtit ministër rus, ia ndaloi shkeljen e hapësirës ajrore, gjatë fluturimit për në Maqedoni… Të mos përmendim edhe shumë e shumë dëshmi e argument (ngjarje) tjera, që ta shtojnë dyshimin, në këtë drejtim…
Prandaj, kur BDI-ja akuzon dikë për “Botën Serbe”, është mirë t’iu thuhet se: atë (Bota Serbe) e sollët ju në Maqedoni, bashkë me Llavrovin, Vuçiqin, Daçiqin e të tjerët. “Të këqijat” nuk harrohen lehtë, prandaj “fajin” për këtë, pra për “Botën Serbe”, mbajeni për vete… Mësojeni leksionin se, nga mëkatet politike, nuk mund të amnistoheni ose t’i maskoni me anë të propagandës e rrenave, sepse, shqiptarët dinë të të mbështesin në moment të caktuara, por dinë edhe të ndëshkojnë për veprime antikombëtare!