Serena Williams manit me fotografitë në bikini pasi humbi 14 kilogramë duke përdorur grupin e ilaçeve që përfshin edhe Ozempic-un

Ikona e tenisit, Serena Williams, 43 vjeçe, duket më në formë se kurrë – gjë që e ka dëshmuar me një seri fotografish të publikuara në Instagram, ku shfaqet me një palë bikini të verdha.

Fotot vijnë pak pasi ajo foli për revistën People mbi rrugëtimin e saj të humbjes së peshës, duke zbuluar se me ndihmën e një ilaçi të grupit GLP-1 ka arritur të humbasë mbi 14 kilogramë.

Në fotografi, fituesja e 23 titujve Grand Slam pozon me vetëbesim në ujë deri në gju, veshur me një bikini njëpjesëshe të verdha me prerje në mes. Pamjen e kishte plotësuar me një shall të gjelbër rreth qafës dhe syze dielli të zeza.

Serena, nënë e dy vajzave – Olympias gjashtëvjeçare dhe Adiras njëvjeçare, të cilat i ka me bashkëshortin Alexis Ohanian – rrëfeu se prej kohësh është përballur me vështirësi për të arritur peshën e dëshiruar. “Ndjehem shkëlqyeshëm”, tha ajo. “Ndjehem vërtet mirë dhe e shëndetshme, më e lehtë fizikisht dhe mendërisht”.

Foto: Serena Williams/Instagram

Problemet me peshën, siç tregon vetë, nisën pas lindjes së vajzës së parë në vitin 2017. “Asnjëherë nuk arrita të kthehesha në peshën që duhet, pavarësisht sa stërvitesha apo sa kujdesesha me ushqimin. Ishte e çuditshme, sepse nuk kisha qenë kurrë më parë në një situatë të tillë, duke punuar aq shumë dhe duke ngrënë shëndetshëm, por pa arritur rezultatin e dëshiruar”, shpjegoi ajo.

E njëjta gjë ndodhi edhe pas lindjes së vajzës së dytë, Adira, në gusht 2023. Edhe pse në dy javët e para pas lindjes humbi disa kilogramë, procesi u ndal. “Pas kësaj nuk humba më asnjë kilogram,” zbuloi Serena. Në atë kohë ajo vendosi të kërkonte ndihmë tek kompania Ro, e cila ofron trajtime me ilaçe të grupit GLP-1, ku përfshihen edhe medikamentet e njohura Ozempic dhe Mounjaro. Para se të merrte vendimin, ajo kishte bërë kërkime të hollësishme dhe ishte këshilluar me mjekun e saj.

Foto: Serena Williams/Instagram

Williams nisi injeksionet javore në fillim të vitit 2024, rreth gjashtë muaj pas lindjes së Adiras, pasi kishte ndërprerë gjidhënien. Që nga ajo kohë, ajo thotë se ndihet më mirë se kurrë. “Thjesht mund të bëj më shumë. Jam më aktive. Nyjat nuk më dhembin aq shumë”, u shpreh tenistja, por theksoi se vetëbesimi dhe dashuria për veten kanë qenë gjithmonë aty.

Foto: Serena Williams/Instagram

“Humbja e peshës nuk duhet të ndryshojë mënyrën se si e shihni veten”, tha ajo. “Gratë shpesh përballen me gjykime për trupin e tyre, pavarësisht madhësisë, dhe unë këtë e njoh shumë mirë. Për këtë arsye besoj se duhet ta doni veten në çdo madhësi, pavarësisht se si dukeni”.

Foto: Serena Williams/Instagram