Gjykata Kushtetuese dhe shembja e iluzioneve

Shkruan: Sadri RAMABAJA

Ditë më parë në një TV të Tiranës kisha paralajmruar si mundësi që Gjykata Kushtetuese jona të rrëshqasë në veprime alogjike dhe të marrë për model për hartimin e Aktgjykimit që publikoi sot pikërisht atë më të keqin – Modelin e Pakistanit.

Gjykata Supreme e Pakistanit, e influencuar nga pushtetet ushtarake, shpesh duke pretenduar të ruajë pozicion të pro forma të pavarur, jo rrallë është akuzuar për “juridikim” (ndërhyrje e tepërt në politikë), duke ju mbivendosur Parlamentit.

Me aktgjykimet e saj kjo gjykatë ka thelluar krizat politike në vend.
Pavarësia e saj në marrje të vendimeve shpesh është vënë në diskutim, me akuza për influencë nga ushtria ose elitët politike.

Në 2023–2024, konflikti brenda gjykatës Supreme (midis gjyqtarëve) dhe mosmarrëveshjet për çështje si zgjedhjet ose trajtimi i Imran Khan-i kanë rritur dyshimet për neutralitetin e saj.

Gjykata Kushtetuese me këtë aktgjykim [respektivisht këtë njoftim që bëri publik sot], pavarësisht pretendimeve të ligjshme për tu promovuar si një institucion me fuqi të madhe, ajo ka rrëshqitur tërësisht në terrenin e politikës, duke shpërfaqur politizimin që ka dominuar përheër në shumicën e vendimeve që ka marrë.

Ndonëse ishte ushqyer një lloj iluzioni se ajo do të jetë jo vetëm gardian i kushtetutshmërisë, por edhe njëra nga shtyllat e sigurta mbi të cilën mund të funksionalizohet Republika.
Nga vendimi mbi emblemën e qytetit të Prizrenit e deri te ai i vitit 2014 dhe ky i fundit i publikuar sot, kishin dhe do të kenë pasoja të paqarta, duke reflektuar sfidat e Republikës në procesin e kalimit nga autoritarizmi që i ishte imponuar nga olhokratët që morën peng Republikën për 20 vite rresht në demokraci të qëndrueshme.

Me këtë akt, ana e mirë e medaljes është se, po fillon rnia e idhujve dhe iluzioneve.
Rënia e “idhujve” (iluzioneve ose miteve politike) mund të ketë një ndikim kompleks në demokracinë e Kosovës, veçanërisht pas krizës aktuale kushtetuese dhe politike.
Detyrë e forcave progresive politike është që sistemi politik të hapet. Dobësimi i “idhujve” mund të çojë në apati civile (indiferencë ndaj politikës). Kjo nuk guxon të na ndodhë asesi.
Por reformat radikale mbesin si zgjidhje e vetme. Këtë mund dhe duhet ta mundësojë politika, respektivisht shkuarja në zgjedhje – kthimi tek sovrani.
Rënia e iluzioneve duhet të shoqërohet me kritikë konstruktive dhe kërkesa për llogaridhënie. Këtë mund ta bëjë më mirë se politika bota akademike. Vetëm kështu gjasat që Kosova të kalojë në një fazë më të shëndoshë demokratike janë më reale.

Me këtë akt Gjykata Kushtetuese të vetmën të mirë që ka bërë është se ka kontribuar ndjeshëm në procesin e shembjes së iluzioneve.