Derisa ligji për arsimin e mesëm pritet të miratohet në Kuvend deri në fund të muajit, statusi i medresesë “Isa Beu” do të rregullohet, duke u njohur si pjesë e sistemit arsimor, që do t’u mundësojë nxënësve regjistrimin në universitet. Nesër ligji do të diskutohet në seancën plenare në lexim të parë, më pas do të ketë diskutim në komision, dhe më pas do të kthehet për miratim nga deputetët. Në seancën e sotme të Komisionit për arsim, zëvendësministri Lulzim Aliu tha se me këtë ligj do të zgjidhet problemi i nxënësve që ndjekin këtë shkollë.
“Kjo është një problematikë që nuk u zgjidh për rreth 40 vite dhe mendoj se me këtë ligj do t’u mundësohet këtyre nxënësve të jenë të barabartë me të tjerët, që në fund të arsimit të zhvillojnë provimin shtetëror të maturës, të zgjedhin lëndët dhe të regjistrohen në universitetet shtetërore si gjithë të tjerët”, tha Aliu.
Deputetja e VLEN-it, Imrlije Saliu Fetai, tha se miratimi i këtij ligji është akt i drejtësisë institucionale dhe nxënësit do të kenë të drejtë të vazhdojnë arsimin e tyre.
“Kjo është thelbësore sepse arsimi fetar, pavarësisht sa është specifik, nuk mund të jetë një rrugë pa dalje. Ai duhet të jetë urë për përparim. Për herë të parë në këto institucione është rregulluar ndarja e qartë midis arsimit të përgjithshëm dhe atij fetar. Për lëndët e përgjithshme do të zbatohen programet e Ministrisë së Arsimit, me mbështetje nga Zyra për zhvillim”, tha Imrije Saliu Fetai.
Kryetarja e Komisionit për arsim, Ivanka Vasilevska, tha se me këtë ligj po korrigjohet një padrejtësi nga sistemi i kaluar.
“Këtu kemi përputhje me disa parime kushtetuese që flasin për barazi dhe drejtësi për të gjithë në shtet dhe për këtë arsye, në një mjedis liberal u jepet mundësia të jenë brenda sistemit dhe në këtë mënyrë do të kemi kontroll mbi institucionet, shteti do të mund të ndërhyjë nëse ka nevojë, dhe gjithashtu do t’u jepet mundësia njerëzve të shprehin nevojat dhe potencialet e tyre”, deklaroi Vasilevska.
Medresja është një shkollë fetare, e cila për 40 vjet nuk kishte status ligjor, dhe arsimi i nxënësve ishte jashtë kuadrit ligjor. Gjithashtu do të rregullohet edhe statusi i Shkollës së Teologjisë Ortodokse, e cila gjithashtu nuk ishte njohur zyrtarisht.