Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shpallur aktvendim për tre nga katër të dyshuarit në rastin e ndërmjetësimit për të ushtruar prostitucion me vajza nga nga Brazili në Shkup.
E dyshuara e parë, De Jesus Neves Marliene, shtetase e Brazilit, është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej pesë vjet e gjashtë muaj. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Sabedin Demiri dhe Nemanja Mihajlovski, shtetas të Maqedonisë së Veriut, janë dënuar me aktvendim alternativ, respektivisht me një vit burg dhe një vit e gjysmë nëse kryejnë ndonjë vepër penale brenda tre viteve të ardhshme.
Gjykata vendosi gjithashtu të ndajë procedurën për të pandehurin e dytë, Maan Mahmalad, shtetas i Maqedonisë së Veriut, pasi ai ishte i vetmi nga katër të dyshuarit që nuk e pranoi fajësinë.
Duke elaboruar aktakuzën, prokurorja Suzana Mirçevska-Kërstevska theksoi se tre prej të pandehurve janë shpallur fajtorë për veprat penale: “Ndërmjetësim për kryerje prostitucioni” dhe “Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”, ndërsa Mihajlovski është shpallur fajtor vetëm për “Pastrim parash dhe të ardhurash nga vepra penale”.
Sipas prokurores Mirçevska-Kërstevska, gjatë periudhës dhjetor 2023 – dhjetor 2024, e pandehura Marliene dhe i pandehuri Mahmalad,me qëllim të paracaktuar, kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të organizuar akomodimin dhe jetesën e vajzave braziliane që merreshin me prostitucion në Shkup.
Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, pesë vajza nga Brazili, të moshës 26 deri në 38 vjeç, janë sjellë në Shkup dhe janë vendosur në dy banesa me qira brenda kompleksit “Xhevahir Holding”. Ato ofronin shërbime seksuale përmes kontakteve që realizoheshin në një faqe ndërkombëtare në internet, e krijuar për ofrimin e vajzave eskortë në gjithë Evropën.
Prokurorja sqaroi se për vajzat braziliane ishin krijuar profile në internet, ku postoheshin numra telefoni, çmimet e shërbimeve seksuale dhe shtesë, si dhe fotografi me përmbajtje eksplicite.
Sipas Prokurorisë, e pandehura Marliene menaxhonte këto profile, kontaktonte me klientët potencialë, organizonte orarin ditor për çdo vajzë dhe caktonte kohëzgjatjen e shërbimeve, që varionte nga 150 euro për gjysmë ore, 200 euro për një orë, 300 euro për dy orë, 450 euro për tre orë, deri në 800 euro për një natë të plotë.
Për këtë angazhim, Marliene përfitonte 30 për qind të të ardhurave që vajzat realizonin nga shërbimet e ofruara.