Kur Tirana zyrtare nuk qëndron neutrale

Shkruan: Florian NESIMI

Kohët e fundit, ndërhyrjet e Tiranës zyrtare në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut po bëhen gjithnjë më të shpeshta – dhe po aq më shqetësuese. Është krejtësisht e pranueshme që krerët shtetërorë të Shqipërisë të zhvillojnë takime me liderët e të gjitha partive shqiptare, por kur këto takime ndodhin në mënyrë të njëanshme vetëm me BDI-në, ato jo vetëm që nuk kontribuojnë në unifikimin e faktorit politik shqiptar, por përkundrazi, thellojnë përçarjen dhe krijojnë ndasi të mëtejshme.
Shikuar historikisht, këto ndërhyrje kanë filluar që në vitin 1993 kur Agjencia Telegrafike Shqiptare nëpërmjet një komenti të saj për kryesinë e PPD-së, ndikoi drejtpërdrejt në përçarjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe në krijimin e një partie të re të quajtur PPDSH. Kjo ndërhyrje e pashembullt dhe antikombëtare e Agjencisë Telegrafike Shqiptare nuk ishte vetëm një akt që çoi deri te përçarja, por më vonë shërbeu si model identifikimi i disa politikanëve për ta paraqitur veten si forca atdhetare që kanë përkrahjen e Shqipërisë.
Në 10 vitet e fundit, jemi dëshmitarë të ndikimit të vazhdueshëm të kryeministrit Edi Rama në momente kyçe – veçanërisht kur partitë më të vogla duhet të hyjnë apo të largohen nga qeveria – ndërhyrje këto që në të gjitha rastet kanë përforcuar pozitën e BDI-së në pushtet. Në këtë kontekst mund të shihet edhe takimi i presidentit Begaj me Arben Taravarin në Shkup gjatë muajit prill, e që vetëm disa ditë pas atij takimi, Taravari paralajmëroi largimin nga qeveria dhe bashkimin me Frontin Evropian.
Një shembull tjetër ishte më 2 maj të vitit të kaluar, kur vetëm gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare lideri i BDI-së u shpall “Qytetar Nderi” i Tiranës. Edi Rama aty mbajti një fjalim lavdërues për liderin e BDI-së – dhe tani si të shihet ky veprim nëse jo si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në fushatën zgjedhore?
Ndërsa para dy javësh, kryeministri Rama u takua me Bujar Osmanin në Çarshinë e Shkupit, duke deklaruar publikisht se kishte ardhur në Shkup “për Bujarin”. Dhe meqë ky i fundit tashmë ka paralajmëruar kandidimin për kryetar të komunës së Çairit, deklarata e Ramës s’mund të interpretohet ndryshe veçse si një përpjekje e hapur për t’i dhënë poena politike Osmanit.
Kështu ndërhyrjet e përsëritura nga Tirana në vend që të ndihmojnë për forcimin e unitetit të shqiptarëve të këtushëm, ata lënë përshtypjen e njëanshmërisë së qëllimshme duke favorizuar vetëm një subjekt politik.