Faruk Nevzati sfidon Qytetin e Shkupit: Ku janë 18 milionë euro të Çairit?

Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka ngritur akuza të forta ndaj udhëheqjes së Qytetit të Shkupit, duke e akuzuar institucionin për diskriminim të hapur ndaj banorëve të kësaj komune në shpërndarjen e buxhetit.

Në një postim publik në rrjetin Facebook, Nevzati publikoi të dhëna zyrtare nga Administrata Tatimore e Qytetit të Shkupit, sipas të cilave banorët e Çairit kanë paguar rreth 18 milionë euro në periudhën 2019 – tetor 2024, ndërkohë që janë kthyer më pak se 1.5 milionë euro në formë investimesh kapitale.

🧾 Të dhënat e publikuara përfshijnë:

2019: 2,705,726 euro

2020: 1,901,511 euro

2021: 3,803,475 euro

2022: 3,784,172 euro

2023: 2,705,726 euro

2024 (janar-tetor): 2,995,757 euro

Totali: 17,896,366 euro

“Për këtë shumë marramendëse, Qyteti i Shkupit ka kthyer vetëm tre investime konkrete në Çair: rruga Xhon Kenedi, rruga Brigada Maqedono-Kosovare dhe një ‘mega-park’ në lagjen Fushë Tophanë – në total rreth 92 milionë denarë (1.5 milion euro),” thekson Nevzati.

Ai shton se situata është edhe më shqetësuese nëse përfshihen të hyrat nga faturat e NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”, që përllogariten në rreth 1 milion euro shtesë çdo vit.

Nevzati deklaron:

“Kush po e diskriminon Çairin? Pse banorët që kontribuojnë më së shumti, vazhdojnë të përbuzën me dekada? Ky nuk është sulm politik, por një thirrje për drejtësi dhe transparencë.”

Ai gjithashtu theksoi se gjatë mandatit të kryetares aktuale të Qytetit të Shkupit, në Komunën e Gjorçe Petrov janë realizuar 27 rrugë në vetëm 3 vite, ndërsa në Çair asnjë rrugë, asnjë ujësjellës dhe asnjë kanalizim.

“Mosrespektimi i zhvillimit të barabartë po e dekurajon qytetarin e ndershëm dhe po e shkatërron motivimin për të paguar taksat.”

Në fund të publikimit, Nevzati kërkoi që të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit politikë, pa marrë parasysh përkatësinë, të ngrisin zërin kundër këtij diskriminimi institucional.