Zgjedhjet lokale 2025 – Mes heshtjes së partive dhe presionit për pushtet

Tetori po afron e bashkë me të edhe zgjedhjet lokale ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave. Por ndërkohë që afati po afrohet, ajo që përbën një dukurí negative është fakti se derimë tani asnjë parti nuk ka publikuar emrat e kandidatëve për komunat.

E përderisa asnjë emër kandidati për kryetar komune nuk është shpallur,duket se kjo është strategji për të blerë kohë dhe për të bërë pazare politike nën tavolinë.

“Ti më jep këtë komunë, unë ta jap atë tjetërën,” është motoja e fshehtë nën këtë heshtje. Partitë sillen sikur votat i kanë në xhep, duke harruar se në demokraci vendos qytetari e jo liderët pas dyerve të mbyllura.

Vonesa në shpalljen e kandidatëve është një dëmim për vetë procesin zgjedhor, sepse qytetarët nuk kanë mundësi të njihen me emrat, figurat, dhe programet e atyre që synojnë t’i udhëheqin komunat për katër vitet e ardhshme.

Por pse partitë politike vonohen në shpalljen e kandidatëve për kryetar komune?

Këto janë tre arsyet kryesore: e para,  presin që të bëjnë pazare mes vete për t’ua falur komunat njëra-tjetrës; e dyta, frikohen nga reagimet negative të qytetarëve nëse kandidojnë emra që janë të konsumuar, pa kredibilet ose me bagazh negativ; dhe e treta, nuk kanë ndërtuar kritere të qarta për përzgjedhje, e as vizion të qartë për menaxhimin me komunat.

Aktualisht ekziston një panoramë e turbullt në skenën politike shqiptare dhe në këtë kontekst të paqartë, duket se në zgjedhjet lokale do të kemi dy blloqe kryesore: VLEN-i dhe FrontiEvropian.

VLEN-i momentalisht paraqitet më kompakt. Ata duken se kanë një politikëtë unifikuar dhe krijohet përshtypja se marrëveshja për ndarjen e komunave mes partive përbërëse po vijon me lehtësi.

Por ndërkohë që afrohet njëvjetori i hyrjes së tyre në qeveri, VLEN-i do të përballet me dy presione: Ata do të duhet të ruajnë komunat të cilat veçmë i menaxhojnë, e posaçërisht Tetovën dhe Çairin, por nga ana tjetër do të jenë nën presion për të fituar më shumë vota se BDI-ja pasi një rezultati tillë do të jetë jetik për të dëshmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të treguar se periudha e qeverisjes një vjeçare nuk ka qenë e kotë. Këto zgjedhje, në këtë kuptim, do të funksionojnë edhe si një test i parë i llogaridhënies së tyre.

Në anën tjetër, më shumë paqartësi priten te Fronti Evropian, ku BDI-ja, si forca më e madhe brenda këtij koalicioni, ka sfidën e ruajtjes së kohezionit të brendshëm. Për ta mbajtur në koalicion edhe Taravarin edhe Selën, BDI-ja do të detyrohet të bëjë dy marrëveshje të veçanta me secilin prej tyre, gjë që do të jetë e vështirë për të kënaqur të dy ja këto subjekte. Dhe kjo jo vetëm që e komplikon ndarjen e komunave brenda Frontit Evropian, por gjithashtu ngre pikëpyetje mbi stabilitetin e këtij koalicioni gjatë fushatës zgjedhore kuata do të duhet të dalin në kampanjë së bashku.

Por BDI-ja, pas humbjes së pushtetit qendror, duket se e ka zhvendosur të gjithë fokusin te kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo vërehet qartë si në vonesën për të shpallur kandidatë për komunat urbane si Tetova, Çairi dhe Struga, po ashtu edhe në retorikën e përditshme politike, ku temat lokale janë tërësisht të anashkaluara.

BDI nuk po merret as me llogaridhënie për komunat që aktualishti menaxhon, as me ofertë konkrete për ato që pretendon t’i fitojë. Në këtë kontekst, duket qartë se synimi i vetëmi BDI-së është rikthimi në qeveri me çdo kusht.