Abrashi: Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket seancës konstituive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se vazhdojnë të jenë në kontakt për të diskutuar me Nismën Socialdemokrate në mënyrë që të ç’bllokohet kuvendi. Ai tha se përveç kreut të Nismës, Fatmir Limaj, Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje në vazhdimësi për të kontaktuar me të gjithë deputetë shqiptarë të kuvendit për të ndryshuar qëndrim.

Pas dështimit të seancës konstitutive për herë të njëzet e katërt, Abrashi foli edhe sa i përket raportimeve për nepotizëm.

“Ne jemi në diskutim me Nismën Socialdemokrate për të gjitha temat. Do të vazhdojmë t’i dëgjojmë kërkesat dhe mendimet e tyre. Këtë kontakt jemi duke e bërë vazhdimisht, jo vetëm me Limajn. Ne do të vazhdojmë të kontaktojmë me secilin deputet i cili nuk e ka humbur arsyen për shkak të presionit nga partitë e tyre relevante dhe të dalim nga kjo krizë sa më shpejtë…Përgjegjësia e plotë e konstituimin e kryesisë së kuvendit bie si barrë mbi të gjithë deputetët e Kosovës, pa marrë parasysh përqindjen”, tha Abrashi.

Diskutimin në opinion se njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipi, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi po e sheh si diçka pozitive.

Sipas tij, fakti që diçka e tillë edhe joligjore bëhet temë, është ngritje e standardit të qeverisjes që është rezultat direkt i Lëvizjes Vetëvendosje.

Abrashi tha se në të kaluarën pati shembuj banal të nepotizmit kur në krye të qeverisë ishin partitë e tjera që deri më tani ishin në opozitë.

“Kur po flasim për konflikt interesi, për privilegje, për shfrytëzimin e pozitës së pushtetit me qëllim të arritjes së ndonjë përfitimi të caktuar për shembull, mendoj se i kemi tashmë në Kosovë institucionet e konsoliduar që japin mendim ose vendim lidhur me këto çështje. Shumë mirë që po bëhen tema. Konsideroj se fakti që diçka e tillë edhe pse jo ligjore bëhet temë, është ngritje e standardit të qeverisjes që është rezultat direkt i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kulturës saj politike. Sikur të kthehemi në të kaluarën dhe vetëm shembujt më banal t’i kishim marrë parasysh se çfarë raste abuzive kemi pasur nga zyrtarët e PDK-së, LDK-së, e AAK-së sa ishin në qeverisje, konsiderojmë që në të njëjtin vend kemi të bëjmë me dy botëra të ndryshme”, tha Abrashi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket seancës konstituive.

“Si Lëvizje Vetëvendosje përpos zhgënjimit, përpos parregullsive, por edhe mungesën e seriozitetit të Kuvendit të Kosovës dhe agjendat e tyre të ulëta të përditshme politike, jemi në pritje të Gjykatës Kushtetuese që të sqarohet çështja e votimit të fshehtë. Po ashtu, jemi në pritje të vendimit tjetër, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me manipulimin e votave nga diaspora nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Abrashi.

Deputetët dështuan të konstituojnë kuvendin edhe në përpjekjen e 24-të. As sot koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit./kp/