Akuzohen për kultivim kanabisi në Australi, reagojnë Belina dhe Elvis Pupa

Aktori i njohur i humorit Elvis Pupa ka reaguar pas raportimeve të medieve australiane që e lidhin emrin e tij me një çështje të kultivimit të drogës në Australi.

Përmes një deklarate publike, ai mohon çdo përfshirje në rastin në fjalë, duke theksuar se nuk është në arrati dhe se ndodhet në Tiranë prej më shumë se një muaji.

Edhe bashkëshortja e tij, Belina Pupa, ka konfirmuar se çifti po vazhdon jetën normalisht në Shqipëri, duke e quajtur lajmin e përhapur si të pavërtetë dhe të pabazuar.
Reagimi i plotë i Pupës: Jam i detyruar të reagoj pas disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse që po qarkullojnë në media, sipas të cilave unë gjoja “jam arratisur” dhe “ndodhem në kërkim”. Dua ta bëj shumë të qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europe.

Foto: Elvis Pupa/Instagram

Çdo përpjekje për ta paraqitur ketë situatë ndryshe është një manipulim i pastër i informacionit, një keqinterpretimi qëllimshëm që synon të bëjë lajm aty ku nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Sa i përket bashkëshortes sime, Belina, ajo vazhdon aktivitetin e saj profesional dhe është plotësisht e lirë. E gjithë situata që po trajtohet aktualisht është pjesë e një procesi ligjor që është ende në zhvillim, dhe siç është shprehur edhe ajo vetë, i takon drejtësisë të flasë e fundit.

Fatkeqësisht, kemi parë një keqpërdorim të rëndë të lajmit, me qëllim sensacionalizmi dhe klikimesh, ku deformimi ka marrë vendin e të vërtetës. Jetët tona janë publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të abuzojë me dinjitetin e njerëzve.

Jeta vazhdon normalisht, me punën dhe përgjegjësitë tona të përditshme. Ne do të përballojmë çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen që shumë prej jush na kanë treguar. Me respekt Elvis Pupa.

“Një influencuese në rrjetet sociale dhe terapiste e njohur në Adelaide është akuzuar për një perandori kanabisi, ndërsa partneri i saj, i bashkë-akuzuar, është larguar nga vendi”, shkruajnë mediat australiane duke iu referuar Belina Pupës dhe Elvis Pupës.