Jose Mourinho mund të marrë drejtimin e Portugalisë, Federata portugeze dëshiron që trajneri të menaxhojë fundin e karrierës së Ronaldos

Jose Mourinho mund të largohet nga Fenerbahce vetëm një vit pas emërimit, pasi Federata Portugeze e Futbollit synon ta sjellë në krye të kombëtares përpara finales së Ligës së Kombeve këtë verë.

Sipas gazetarit Ahmet Selim Kul nga HT Spor, Mourinho ka arritur një marrëveshje paraprake me Federatën dhe është tani kandidati kryesor për të zëvendësuar trajnerin aktual të Portugalisë.

Fillimisht ishte planifikuar që Mourinho të merrte drejtimin pas përfundimit të kontratës me Fenerbahçen në vitin 2026, por situata ka ndryshuar për shkak të ndikimit të Cristiano Ronaldos.

Federata Portugeze beson se Mourinho është trajneri i vetëm që mund të menaxhojë fundin e karrierës së Ronaldos me ekipin kombëtar dhe dëshiron ta emërojë që këtë verë.

Megjithatë, një pengesë mbetet e qartë, Federata portugeze nuk dëshiron të paguajë klauzolën e lirimit nga Fenerbahce, që e ndërlikon kalimin e Mourinhos.

Për këtë arsye, Mourinho po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së kontratës me marrëveshje të ndërsjellë, për të realizuar kalimin te Portugalia.

Nëse marrëveshja arrihet, Mourinho i cili kurrë më parë nuk ka drejtuar një ekip kombëtar do të udhëheqë Portugalinë në finalet e Ligës së Kombeve në qershor dhe më pas drejt Kupës së Botës 2026.

Aktualisht në krye të Kombëtares së Portugalisë është Roberto Martinez i cili ka kontratë me portugezët deri më 31 korrik të vitit 2026.