Më shumë se 200 persona janë arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të dielën mbrëma në Hong Kong, bënë të ditur mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia nuk konfirmoi lajmin, por rreth mesnatës në njoftim theksoi se është duke zbatuar aksion për shpëndarjen dhe arrestimin e protestuesve pas paralajmërimit të përsëritur. Ata theksuan se protestuesit brohorisnin parulla dhe vendosën barrikada për të bllokuar rrugët në kuartin urban Mongkok, ndërsa ndezën zjarr në disa rrugë.
Lëvizja prodemokratike, e cila vitin e kaluar me muaj bllokoi Hong Kongun tregoi shenja jete gjatë javës së fundit posa u ul kërcënimi nga përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19). Qeveria para do kohe vendosi se tubimi publik mund të jetë deri në 8 persona.
Gazeta “Apple Daily” raportoi se më shumë se 200 persona janë arrestuar ndërsa disa media pohojnë se bëhet fjalë për më shumë se 250. Por, të gjithë u referohen burimeve të paemëruara.
Aksionet policore të mbrëmjes vijuan pas disa protestave nëpër qendra tregtare më herët gjatë ditës. Protestuesit kërkuan demokraci të plotë në qytetin gjysmëautonom kinez dhe hetim për brutalitetin e pretenduar policor në shtypjen e protestave të vitit të kaluar.