“Thaçi e Mustafa po i frikësohen Kurtit, ditë jo të mira po vijnë për komplotistët”

Analisti i çështjeve politike Liri Loshi, ka thënë se juristët e kanë ditur se Gjykata Kushtetuese sapo ta kishte në dispozicion ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, do ta suprimonte përkohësisht dekretin e presidentit Hashim Thaçi për kryeministrin e propozuar nga LDK-ja.

Ai ka pyetur se të njëjtën nuk e dinin presidenti Thaçi, Isa Mustafa, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Sipas tij, ardhja e Pacollit nga Zvicra dy ditë para se të ishte thirrur seanca e Kuvendit, “e konfirmon 100 % komplotin e përgatitur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa”.

Loshi ka theksuar se “ngutia e Thaçit dhe Mustafës”, tregon se ata “i frikësohen” Albin Kurtit, përcjell Bota sot.

Ai ka shtuar se nuk priten ditë të mira për “komplotistët”.

Reagimi i Loshit në Facebook:

Juristët e dinin që Gjykata Kushtetuese sapo ta kishte në dispozicion ankesën e Vetëvendosjes, do ta suprimonte përkohësisht dekretin e presidentit Thaçi për kryeministrin e propozuar nga LDK-ja. Si ishte e mundur që këtë të mos e dinin edhe presidenti Thaçi, pastaj Isa Mustafa, Avdullah Hoti, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli? Që të gjithë këta pra, e dinin, por çuditërisht shpresonin se në ditë feste Gjykata nuk do të punonte dhe kështu, një ditë më pas, pra në një ditë vikendi Gjykata do të gjendej e përgjumur dhe Kuvendi do ta përligjte komplotin e tyre. Ardhja e Behgjet Pacollit dy ditë para se të ishte thirrur seanca e Kuvendit, e konfirmon 100 % komplotin e përgatitur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Ata që ishin armiq ndaj njeri tjetrit, saora u vunë në miqësi të fuqishme kundër Albin Kurtit. Kjo nguti e tyre tregon më së miri se sa këta njerëz i frikësohen Albin Kurtit. Tash e ka fjalën Gjykata Kushtetuese. Pastaj vjen fjala e sovranit. Komplotistët nuk pritet të kenë ditë të mira.