Edicioni i 137-të i Panairit të Importit dhe Eksportit të Kinës, i njohur si Panairi i Kantonit, është planifikuar të zhvillohet nga 15 prilli deri më 5 maj, në qytetin jugor kinez të Guangzhou, me rreth 31.000 firma pjesëmarrëse, njoftoi Qendra e Tregtisë së Jashtme të Kinës, citon “Xinhua”.
Sipërfaqja totale e ekspozitës është 1.55 milionë metra katrorë me rreth 74.000 stenda, duke përfshirë afro 73.000 për eksporte dhe rreth 1600 për importe.
Ky panair do të ndahet në tre faza: për prodhimtarinë e avancuar, për mobilimin cilësor të shtëpisë dhe për produkte që promovojnë një cilësi më të mirë jetese, duke përfshirë 172 zona produktesh.
Numri i firmave pjesëmarrëse është rritur me afro 900 krahasuar me panairin e mëparshëm.
Për herë të parë, do të shtohet një zonë e veçantë për robotët e shërbimit, për t’u fokusuar në arritjet më të fundit të zhvillimit të inteligjencës artificiale në Kinë.
I themeluar në vitin 1957, Panairi i Kantonit, i cili mbahet dy herë në vit në Guangzhou, është cilësuar si barometri i tregtisë së jashtme të Kinës.