Zv.kryeministri Arben Fetai përmes një statusi në rrjetet sociale ka reaguar pas një statusi të ish ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, i cili duke aluduar deklaratën e Fetait se ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi po mbrohet nga avokatët e Mijallkovit dhe Gruevski, ka shkruar se sulmi ndaj avokatëve vetëm pse kanë mbrojtur figura të tjera, është i neveritshëm dhe thellësisht i pamoralshëm.
“E kemi thënë gjithmonë – BDI në opozitë bie si një kullë prej letre. Dhe pikërisht kjo po ndodh.
Njëri arratiset si Gruevski.
Tjetri bëhet banor i Shutkës.
Të tjerët pacientë, sado që mund të kenë mbyllur ndonjë lëndë sa ishin në pushtet, tani jetojnë me frikën se mos u hapet një tjetër”, ka shkruar Fetai.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka shkruar se në këtë rast si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit janë të mendimit se ndaj Bekteshit po bëhet padrejtësi.
“Kreshnik Bekteshi është një i burgosur politik dhe një rast i rrallë ku si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit pajtohen për padrejtësinë që po i bëhet.
Vetëm një mendje dhe zemër e prishur mund të provokojë familjen e tij në këtë mënyrë të ulët.
Dikur, në politikë, kishte një minimum dinjiteti – sot, disa po tregojnë se nuk kanë as atë.
Sulmi ndaj avokatëve vetëm pse kanë mbrojtur figura të tjera, është i neveritshëm dhe thellësisht i pamoralshëm.
Kjo është e njëjta logjikë absurde sikur të akuzosh një kirurg pse ka operuar dikë që nuk pëlqehet nga të tjerët”, ka shkruar Osmani.