Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot mori shembull Real Madridin para ndeshjes së tyre të kthimit ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme.
‘Të Kuqtë’ u detyruan të ballafaqohen në ‘Parc des Princes’ teksa ekipi i Luis Enriques i dominoi ata totalisht.
Megjithatë, u desh një performancë e jashtëzakonshme nga Alisson Becker që ta shpëtojë Liverpoolin nga gjuajtjet e njëpasnjëshme të kampionit francez.
Kjo natë e paharrueshme për portierin brazilian në fund u shpërblye pasi Harvey Elliott shënoi për t’i dhënë fitoren mysafirëve me rezultat 1-0 në udhëtim.
Slot pranoi se ekipi i tij pati vështirësi ndaj PSG-së teksa shtoi se ata janë ekipi më i mirë në Evropë këtë sezon bazuar në statistikat dhe formën e treguar, duke thënë se Liverpooli ishte me fat që nuk e pësoi keq ndaj tyre.
Tekniku holandez ishte i qartë për rëndësinë e rezultatit, por beson se Real Madridi e ka shfaqur vazhdimisht se të fitosh ndeshje në Evropë mund të jetë shumë specifike.
“Asnjë ekip nuk mund t’i luajë 38 ndeshje në kampionat ose ndeshjet në Ligën e Evropës vetëm me futboll të mirë. Real Madridi është njëri nga shembujt më të mirë për këtë”.
“Ata gjejnë mënyra për t’i fituar ndeshjet edhe kur kundërshtari luan më mirë, kjo është ajo që bëjnë ata”, ka thënë Slot.
Teksa kalendari i ndeshjeve ndryshon javën e ardhshme, Liverpooli do të jetë nikoqir i PSG-së me 11 mars, teksa Real Madridi në udhëtim do luajë përballë Atletico Madridit një ditë më vonë.