Stacioni Qinling në Antarktidë funksionon falë energjisë së pastër

Sistemi hibrid i furnizimit me energji elektrike i stacionit kinez Qinling në Antarktik, që integron energjinë e erës, diellit, hidrogjenit dhe naftës, ka nisur funksionimin e tij, duke shënuar debutimin e një sistemi të tillë në kontinentin e ftohtë dhe të ashpër, shkruan “Xinhua”.

Sipas ekipit të 41-të të ekspeditës kineze në Antarktik, në stacion janë instaluar sistemi i jashtëm i prodhimit të energjisë së erës 100 kW, sistemi i prodhimit të energjisë diellore 130 kW, sistemi i energjisë së hidrogjenit 30 kW, sistemi i baterive të ruajtjes së energjisë me temperaturë të ulët 300 kWh, një pjesë e sistemit të prodhimit të energjisë me naftë dhe sistemi i kontrollit elektrik të brendshëm.
Gjithashtu, është realizuar lidhja e sistemit hibrid në rrjet dhe prodhimi i vazhdueshëm i energjisë elektrike, duke mundësuar që sistemi i furnizimit me energji të përqëndrohet në energjinë e pastër.

Ky është sistemi i ri i prodhimit të energjisë në shkallë më të madhe i instaluar aktualisht në stacionet kërkimore të Antarktikut të Kinës. Përqindja e energjisë diellore dhe erës arrin mbi 60 për qind, duke kursyer më shumë se 100 tonë lëndë djegëse fosile në vit.

Pa erë dhe rreze dielli, sistemi mund t’i sigurojë stacionit një furnizim me energji elektrike për rreth 2.5 orë, me një ngarkesë maksimale prej 150 kW. Gjithashtu, konfigurimi i tij i instaluar plotësisht i energjisë së hidrogjenit mund të sigurojë 30 kW energji të pandërprerë për 14 ditë gjatë netëve polare.

Stacioni Qinling, stacioni i pestë kërkimor i Kinës në kontinent, filloi funksionimin në shkurt 2024.

Përpara stacionit Qinling, Kina krijoi katër baza kërkimore në Antarktidë gjatë gati 40 viteve të fundit, stacioni i Murit të Madh, stacioni Zhongshan, stacioni Kunlun dhe stacioni Taishan.