Pedri flet për rinovimin e kontratës me Barçen: Jam i qetë

Barcelona raportohet se po punon në mënyrë aktive drejt një rinovimi të kontratës së re afatgjatë për Pedrin për ta mbajtur atë në klub për një kohë edhe më të gjatë.

Pedri është pjesë e katalunasve që nga viti 2019, derisa kontrata e tij aktuale skadon në verën e vitit 2026.

Megjithatë te Barcelona duan ta blindojnë edhe për shumë vite të tjera yllin e skuadrës dhe po punojnë për rinovimin e kontratës.

21-vjeçari ka folur për këtë dhe ka thënë se është shumë i qetë sa i përket kontratës së re.

“Jam shumë i qetë. Agjentët e mi po kujdesen për të. Nuk ka asnjë lajm, por gjithçka është në rregull. Mendoj se po shkon mirë, gjithçka po ecën siç pritej”, deklaroi mesfushori spanjoll.

Blaugranët thuhet se janë optimistë për rinovimin e kontratës së Pedrit deri në vitin 2029 ose 2030 dhe bisedimet me përfaqësuesit e tij po shkojnë mirë.

Mesfushori spanjoll ka bërë 17 paraqitje për Barçën deri më tani këtë sezon, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë dy asistime në të gjitha garat.