Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon sjelljen joprofesionale dhe të pahijshme të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, i cili sot ka penguar gazetaren e medias online, portali Sakamdakazam.mk, Sonja Delevska, gjatë ushtrimit të detyrës së saj profesionale në Kuvend.
Siç raportohet në shkresën e dërguar deri tek SHGM, gazetarja Delevska po kryente detyrën e saj profesionale duke i drejtuar pyetje legjitime drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski. Ndërsa Hristovski po i përgjigjej pyetjeve të Delevskës lidhur me certifikatën e tij për gjuhën angleze, deputeti Kovaçki iu drejtua me fjalët: “fike mikrofonin, po regjistron,” duke treguar nga telefoni i saj. Delevska i ofroi telefonin e saj deputetit, por ai refuzoi ta merrte dhe thirri Hristovskin që të largohej.
Ne ju bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë një nivel të duhur respekti dhe qasje konstruktive ndaj mediave dhe përfaqësuesve të tyre, të përgjigjen rregullisht ndaj pyetjeve të tyre, dhe të përmbahen nga çdo formë presioni apo shpifjeje.
Kujtojmë se liria e mediave dhe e drejta e gazetarëve për të bërë pyetje janë parime themelore të një shoqërie demokratike. Çdo përpjekje për të penguar, frikësuar ose diskredituar gazetarët përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe transparencës së institucioneve.
SHGM do të vazhdojë të monitorojë nga afër gjendjen e të drejtave të punonjësve të medias dhe të angazhohet për mbrojtjen e standardeve profesionale gazetareske.