Interesi meskin dhe idealizmi kombëtar

Shkruan: Xhelal Zejneli

Shumë krijues bashkëkohorë kanë shkruar për historinë shqiptare të dhimbshme dhe
të përsëritur. Kanë shpalosur mungesën e substancës së formuar të qenies. Në këtë kuadër, në
vizionin e tyre, as e ardhmja nuk është shpresëdhënëse. Ky vizion i tyre tingëllon aktual edhe
sot, në sistemin pluralist të hapësirave shqiptare, si dhe në Kosovën e lirë, demokratike dhe të
pavarur. Në këto tridhjetë vitet e pluralizmit në botën shqiptare, sistemi i ndërtuar nuk është
as socialist dhe as kapitalist, por gjysmë-barbar. Në botën shqiptare kemi një thellim
frikësues të pabarazive shoqërore dhe ekonomike. Pabarazitë sociale shndërrohen edhe në
pabarazi politike. Në hapësirat shqiptare s’dihet dot se kush e ka në dorë shtetin: oligarkët
apo politikanët?!
Kapitalizmi në Evropë ka filluar të ndërtohet në Itali, para tetëqind vjetësh. Borgjezia
shqiptare ndërkaq synon të krijohet brenda natës. Askush në histori nuk ka mundur të krijojë
pasuri marramendëse, pa e shfrytëzuar djersën dhe mundin e tjetrit. Askush në rruzullin
tokësor nuk është pasuruar shpejt, pa bërë abuzime në dëm të shoqërisë. Askush në botë nuk
është pasuruar sakaq, pa kryer veprime të paligjshme, në dëm të interesit të përgjithshëm.
Në rrethana të tilla, në hapësirat shqiptare nuk bëhet politikë politike, por politikë e
kapjes së shtetit, e grabitjes dhe e zhvatjes. Midis oligarkëve dhe politikanëve kemi një
aleancë të ngushtë. Madje oligarkët e financojnë politikën saqë ajo shndërrohet në instrument
të oligarkisë. Në rrethana të tilla edhe organi ligjvënës i shtetit është në duart e oligarkisë. Si i
tillë, kuvendi i shtetit figuron dhe funksionon vetëm formalisht.
Në shtetin me pabarazi sociale të thellë, shteti ligjor dhe demokracia nuk janë veçse
fasadë. Në një shtet të tillë, i pasuri e blen lirinë e të varfrit, ndërsa i varfëri, për të mbijetuar,
detyrohet ta shesë lirinë e vet. Punëtori s’ka guxim të shprehë pakënaqësinë e vet për arsye se
sa çel e mbyll sytë, e humb vendin e punës. Gjendja e këtillë cenon edhe dinjitetin dhe
integritetin e njeriut. Në shtetin as socialist, as kapitalist s’ka as organizim sindikalist.
Në këtë dance macabre hedhin valle institucionet arsimore dhe shkencore,
inteligjencia, kleri fetar, mediumet, studiot televizive, moderatorët, kryeredaktorët, analistët
politikë, ndërtuesit e mendimit publik. Këta nuk janë veçse instrumente të verbëta të faktorit
parapolitik. Në skenë ndodhen mercenarët dhe kalemxhinjtë.
Për ta sunduar më lehtë popullin, sundimtarët e të gjitha ideologjive qëllimisht e kanë
mbajtur atë në varfëri. Satiriku romak Juvenali (Decim Junije Juvenalis, rreth 60 – rreth 130)
thotë se parullë e qarqeve sunduese të Romës perandorake ka qenë panem et circenses (bukë
dhe argëtim). Me fjalë të tjera, në do ta sundosh popullin pafundësisht, jepi bukë dhe
zbavitje.
Politika e bukës dhe e argëtimit në botën shqiptare ndiqet me të madhe.
Në shtetin as socialist as kapitalist korrupsioni dhe nepotizmi janë pjesë e përditshmërisë. Aty
ku s’kemi politikë politike, por kemi parapolitikë, profesionalizmi është utopi. Në krye të
skenës ndodhet diletantizmi. Shteti që i ka të politizuara dhe të partizuara të gjitha poret e
shoqërisë është larg të qenit shtet. Në shtetin e tillë, nocioni “shoqëri” nuk është veçse fiksion
dhe iluzion. Në shtetin e tillë mbizotëron fisi e krahina dhe jo kombi e shteti. Politika e shtetit
të tillë është politikë fisi dhe krahine dhe jo politikë shteti. Interesi i shtetit të tillë është
interes fisi dhe krahine dhe jo interes shteti. Shteti i tillë udhëhiqet nga mendësia provinciale
apo nga psikologjia e fisit. Në shtetin e tillë kriteret vlerësuese janë anakronike, tradicionale
dhe konservatore, ndërsa sistemi i vlerave bashkëkohore vështirë ndërtohet. Sistemi i
trashëguar i vlerave shembet dhe zëvendësohet me sistem pseudo vlerash. Kjo shpie edhe në
nëpërkëmbjen e vlerave të mirëfillta. Në “shoqërinë” e tillë lulëzon kiçi dhe shundi. Personi
që mezi lexon, që gjuhën amtare e shkruan ashtu siç nuk duhet, e që nuk di asnjë gjuhë të

huaj, merr titull akademik. Kështu lind inteligjencia e shoqërisë, të cilën dikush e quan “elitë
intelektuale”. Shteti me klasë intelektuale të tillë, në skenën ndërkombëtare nuk gëzon
respekt.
Parapolitika fare nuk çanë kokën për dyndjen masive të rinisë dhe për ikjen e trurit
drejt asimilimit. Kombi mbetet pa pjesën vitale të tij. Dobësohet forca prodhuese dhe
riprodhuese e kombit. Kapaciteti krijues dhe mbrojtës atrofizohet, ndërsa potenciali biologjik
ndrydhet.
Sistemi ekonomik, sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë dhe sistemi infrastrukturor
nuk shënojnë zhvillim të duhur. Investime nuk ka apo ka fare pak. Papunësia rritet, me të
edhe varfëria e skamja. Të ardhurat mujore të fuqisë punëtore janë si ato të Evropës së
shekullit XIX. Me industri kaçavidash, me tregti qesesh najloni dhe me sistem arsimor të
vjetruar, nuk shkohet në hap me kohën.
Shqiptarët duhet të pushojnë që për ngecjen e vet t’i fajësojnë të huajt dhe vetëm të
huajt. Ka kohë që shqiptarët janë çliruar nga sundimi i huaj. Që atëherë kanë kaluar mbi
njëqind vjet. Fajin për ngecjen e vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Në asnjë vend të
rajonit nuk kemi një polarizim aq të ashpër midis faktorëve politikë si te shqiptarët. Të rralla
janë vendet e botës ku politikanët përdorin ndaj njëri-tjetrit gjuhë degutante, denigruese dhe
denoncuese.
Shqiptarët duhet të manifestojnë aftësi shtetformuese, të heqin dorë nga mikrovlerat
dhe mikrosistemet, të pushojnë së vepruari në mikroplan. Duhet t’u kthehen makrovlerave
dhe makrosistemeve për të vepruar në makroplan.
S’është kohë e patriotizmit folklorik, por e punës së ndershme dhe e të udhëhequrit
me idealizëm. Shqiptarët sot, nuk ballafaqohen vetëm me pandemi virusale, por edhe me
pandemi politike. E mbërthyer nga parapolitika, shqiptarët do të vazhdojnë të përplasen nga
scila në haribdë, tranzicioni ndërkaq do të zgjatë pafundësisht.
Në rrethana të sipërthëna dobësohet substanca e kombit, zbehet idealizmit, goditet
rëndë ideali kombëtar, ndërsa ëndrra për një të nesërme më të mirë – shuhet.
Shqiptarët e pritën me entuziazëm pluralizmin politik, ndërsa për çlirimin e Kosovës
prej pushtuesve serbë e dhanë edhe jetën, por jo për t’u ndjerë të huaj, të nënshtruar, të
nëpërkëmbur, të shfrytëzuar dhe të shpërfillur në gjirin e tokës mëmë.
Shteti ku ka punëtor me 150 euro pagë mujore, ndërsa oligarkët, politikanët dhe bijtë
e tyre, fundjavën dhe pushimet i kalojnë nëpër ishujt ezoterikë të rruzullit – nuk mund të
quhet shtet. Lumturia nuk është individuale. Ajo është e përgjithshme. Janë të turpshme
skenat migjeniane në shtetin evropian të shekullit XXI. Në shtetin e pabarazive sociale të
thella shkelen parimet themelore të demokracisë. Aty demokracia diskreditohet.
Varfëri, në tokat e pasura shqiptare! Ç’paradoks! Kush e ka në dorë atë pasuri, ato
brigje me diell?!
Më 2 maj 2020