Mali i Zi ndal disa automjete ushtarake të blera nga Serbia, të kamufluara si të ndërtimit

Ka disa javë që në portin e Tivarit në Mal të Zi janë ndalur mbi 20 kamionë të importuar nga kompania serbe “Millenium Team”.

Është mediumi Pobjeda.me qe me burimet e veta raporton që bëhet fjalë për automjete ushtarake, më konkretisht raketambajtëse, derisa ato janë kamufluar.

“Veturat në fjalë janë deklaruar në doganë si makina ndërtimore”, citohet të ketë thënë dogana malazeze, transmeton KlanKosova.tv.

Automjetet janë ngjyrosur me të verdhë nga jashtë, kurse nga brenda ngjyra thuhet të jetë e gjelbër, që përdoret nga ushtria. Ato vazhdojnë të jenë të ndaluara në Portin e Tivarit.

“Lidhur me çështjen që kanë të bëjnë me automjetet e futura në Portin e Tivarit, theksojmë se ato nuk janë lëshuar në qarkullim të lirë dhe as nuk ka synim për t’i vënë në qarkullim të lirë në Mal të Zi. Automjetet u dërguan me rrugë detare në Portin e Tivarit, për të kryer procedurën e transitit përmes Malit të Zi deri në destinacionin përfundimtar”, janë përgjigjur nga dogana.