Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim më 2022 – është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasburg të Francës, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Me raste, vendet duhet t’i ndryshojnë ligjet e tyre, apo të bëjnë çfarëdo ndryshimesh tjera, në mënyrë që një shkelje e evidentuar të mos përsëritet më.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023.

Tutje, Osmani ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike të vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës”, deklaroi Osmani.

Osmani ka thënë se çështja e Asociacionit nuk i kërkohet Kosovës para pranimit në KiE.

“Mos të harrojmë që për themelimin e tij është dhënë përkushtimi i plotë më 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, atë bazike të 27 shkurtit 2023. S’është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike së vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe siç e dini të gjithë përfshin edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit. Kërkesë e imja ka qenë në letër që të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses. Kjo është korniza jonë s’dalim kurrsesi jashtë saj”, ka thënë Osmani pas konferencës së organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Arkansasit, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Kujtojmë se sot Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës (KiE) do të shqyrtojë raportin e Bakoyannisit.

Për këtë çështje Osmani ka thënë se shpreson që të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin dhe se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar në lobim.

Duke shtuar se kushdo që mendon për shtyllat e Evropës duhet t’i thotë po pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës.