Rita Ora përveç sukseseve, në 2023 edhe shumë skandale

Këngëtarja shqiptare me fame botërore, Rita Ora që nga dita e parë në skenën e muzikës ka bërë krenar çdo shqiptar.

Ajo në secilën prej intervistave dhe prononcimeve publike, ka zgjedhur të flas për Kosovën, kosovarët dhe të thotë disa fjalë në gjuhën shqipe.

Ndonëse Rita Ora shihet si një nga “ambasadoret” e Kosovës, ajo gjatë vitit 2023 nuk e ka paraqitur edhe aq mirë vendlindjen e saj.

Mbrëmja e 26 gushtit të 2023-tës, ka qenë “skandali” i parë i Ritës.

Në Festival SZIN në Hungari, deri sa ylli shqiptar po përformonte në skenë, në një moment shihet me flamurin serb në dorë.

Mëngjesi i 27 gushtit ishte “mëngjesi i Ritës”, komente e analiza të shumta për veprimin e saj dolën nga çdo redaksi e mediave.

Ofendime të shumta drejt saj shkuan edhe nga qytetarët të cilët zbrazën mllefin ndaj Ritës pasi e panë të shfaqet me flamur serb.

Rita Ora nuk e la të lakohet shumë emri i saj, duke treguar se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.

“Mbrëmë gjatë performancës në Festival SZIN në Hungari, mu dha një flamur nga një fans i ri. Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez”, ka shkruar Rita Ora në një postim në rrjete sociale.

Për këtë situatë ka reaguar edhe nëna e Ritës e cila ka kërkuar falje që e ka çortuar duke mos e ditur rrjedhen e ngjarjes.

Skandalet për Rita Orën, nuk kanë përfunduar në gusht të këtij viti.

Me 29 tetor të 2023-tës, Rita Ora ballafaqohet edhe me një situatë jo shumë të hijshme.

Në arenat e ndeshjes së Zelandës së Re kundër Afrikës së Jugut, në kuadër të finales së Kampionatit Botëror në Ragbi, Rita Ora fotografohet me tenistin serb Novak Gjokoviq.

Novak Gjokoviq, konsiderohet si një nga figurat më anti shqiptare dhe kështu është shkruar edhe në media kur është raportuar për të.

Rita Ora dhe babai i saj pak orë më vonë kanë dalur me një reagim për këtë situatë, duke publikuar fotografi të tribunave.

Në ato fotografi Rita dhe bashkëshorti i saj, Taika Waititi shihen të ulur bashkë për deri sa tenisti serb Novak Gjokoviq shihet i ulur mbrapa tyre.

Rita ka treguar se ai vetëm e ka përshëndetur dhe ka qëndruar për një kohë shumë të shkurtër me të.

Pas këtyre dy ngjarjeve, Rita Ora ka qenë ajo që e ka qetësuar popullin kosovar me vetëm një deklaratë të shkurtër.

“Përderisa i mbështes të githë fansat e mi, nga të gjitha vendet dhe kulturat, dua të bëjë shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgiminë time, ose të mërzisja popullin tim ose familjen time”, ka thënë Rita duke treguar se të dy ngjarjet kanë qenë vetëm një keqkuptim.

Rita Ora vazhdon të mbetet një ndër figurat më eminente të Kosovës në botë e cila po e përfaqëson vendin e saj në mënyrën më të mirë të mundshme.