Rodri, një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Pep Guardiolës dhe njeriu vendimtar që vendosi finalen e Champions League, nuk ka ndërmend të transferohet në Arabinë Saudite.
Mesfushori spanjoll ka nisur sezonin e pestë me Manchester Cityn, ndërkohë që ka kontratë deri në 2027 me fituesit e tripletës gjatë sezonit të kaluar.
“Jam shumë i lumtur te City. Kam dëgjuar për Arabinë Saudite, por për mua do të ishte shumë e ndërlikuar të bashkohesha me një projekt si Liga Saudite.
Prioriteti im në futboll është ambicia, flas për ambicie sportive, individuale dhe sportive. Për momentin nuk ekziston Arabia në mendjen time”, u shpreh Rodri.
70 mln euro paguan drejtuesit e Citizens tek Atletico Madrid për shërbimet e mesfushorit 27-vjeçar në verën e vitit 2019.
Trajneri Pep Guardiola e kërkoi me insistim bashkëpatriotin e tij, dhe ky i fundit ia ka shpërblyer me performanca fantastike. Por edhe gola të rëndë si ai ndaj Interit në Stamboll.





