Pas një serie rezultatesh të dobëta, Marseille zëvendësoi Marcelinon me Gennaro Gattuson që u emërua trajner i skuadrës franceze.
Futbollisti legjendar deri më tani nuk ka pasur shumë sukses në pozitën e trajnerit, ndaj mund të thuhet se nuk do ta ketë të lehtë për të stabilizuar një skuadër që nuk po ecën shumë mirë këtë vit garues.
Ai deklaroi pas konferencës së parë se synimi primar i klubit është të sigurojë një vend që të çon në Ligën e Kampionëve.
“Qëllimi përfundimtar është Evropa. Në kontratën time ka një opsion që lidhet me kualifikimin në Champions League, ndaj kam interesin maksimal që ne të jemi në top katërshe, përndryshe i bëj paketimin dhe shkoj në shtëpi. Duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje dhe të sigurohemi që tifozët të jenë të kënaqur me mënyrën se si ne luajmë”, tha Gattuso.
Ish-futbollisti i Milanit theksoi se do të kërkojë që lojtarët të tregojnë dëshirë për progres.
“Gjithçka është shumë e thjeshtë. Marseille është i vetmi klub nga Franca me trofeun e Champions League, e di që ka vlera të larta. Unë dua një ekip ku lojtarët do të djersitin fanellat e tyre. Duhet ta kemi atë dëshirë për ta marrë topin menjëherë, por tani gjëja më e rëndësishme është të rikthehet entuziazmi. Ndeshjet fitohen duke u stërvitur qind për qind gjatë javës”, përfundoi futbollisti legjendar.
Gjatë karrierës së tij si trajner, Gattuso drejtoi Sion, Palermo, OFI, Pisa, Milan, Napoli dhe Valencia




