“Çmim i garantuar” është etiketa që dallon çmimet e zbritura nga masa e fundit ekonomike. Edhe pse jo të gjitha marketet e kanë vendosur këtë etiketë, vërehet ulja minimale e çmimeve, të paktën në ato markete që vizitoi TV21. Për shembull buka nga 33 tash shitet për 30 denarë. Minimum 10% më lirë do të mund të blini produktet ushqimore që përfshihen në këtë masë, duke filluar nga sot e deri më 30 nëntor. Ky edhe është problemi kryesor i masës sipas analistit ekonomik Branimir Jovanoviq. Thotë se masa vlen për një kohë shumë të shkurtët për të dhënë efektet e duhura. Sipas tij duhet që çmimet të jenë të ngrira për minimum 6 muaj që qytetarët vërtetë të ndjejnë lehtësim.
“Duhet të jetë më e gjatë, nuk duhet të vlejë vetëm dy muaj, respektivisht deri më 30 nëntor dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për të përmirësuar standardin jetësor të qytetarëve. Vjen vonë sepse çmimet tashmë janë rritur shumë gjatë muajve të fundit dhe ndoshta tani me këtë masë ato do të ulen diçka minimalisht, me shumë gjasa madje nuk do të ulen por nuk do të mund të rriten më. Dhe qytetarët ndoshta tani dy muaj do të jetojnë pak më mirë, por pas kësaj sërish do të jetojnë më keq.”- tha Branimir Jovanoviq, Analist Ekonomik.
Edhe pse ministri Bekteshi tha se kjo masë do të ndikojë në uljen e inflacionit sidomos në pjesën ushqimore, Jovanoviq thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse sipas tij për ta përmirësuar standardin e qytetarëve inflacioni duhet të jetë 1 deri 2%.
Dhe për këtë shkak me këtë masë nuk do të arrihet shumë, do të arrihet vetëm të mos përkeqësohet standardi i tyre jetësorë. Por, për ta kthyer standardin e tyre jetësorë në nivel që ishte para një viti e gjysmë duhet të ketë edhe rritje të të ardhurave të njerëzve respektivisht duhet të ketë rritje të pensioneve, pagës minimale, pagave në administratën publike, të gjitha pagat tjera dhe të gjitha të ardhurat tjera duhet të rriten. Përderisa nuk ka rritje të të ardhurave nuk do të ketë përmirësim të dukshëm të standardit jetësorë por vetëm do të ndalohet varfërimi i njerëzve për disa muaj.
Masa thuajse të njëjta përpos Maqedonisë kanë sjellë edhe Serbia dhe Kroacia, madje në Kroaci produktet me çmime të zbritura dallohen me etiketën “çmime të kufizuara” megjithatë për dallim nga ne atje këto masa vlejnë për kohë të pacaktuar. Sipas Branimir Jovanoviq, ngrirja e çmimeve është masë e mirë ekonomike që në raste të caktuara është përdorur edhe në BE, megjithatë sipas tij nëse Qeveria nuk e vazhdon masën pas 30 nëntorit, Jovanoviq thotë se ekziston rreziku që marketet t’i fryjnë çmimet edhe më shumë seç kanë qenë.