Shkruan: Fejzi Hajdari
Paraqitja e kreut të VMRO-së Hristijan Mickovski në mediat gjermane “Frankfurter Allgemeiner Zeitung” ku i demaskon dhe demanton zërat se njerëz të partisë së tij kanë patur kontakt me ish-kryeministrin në arrati Nikolla Gruevski, e ka qartësuar pasqyrën e zhvillimeve rreth pazareve të funksionarëve të qeverisë me Gruevskin, për t’i siguruar votat për ndryshimet kushtetuese. Pra, Mickovski i demantoi në veçanti zërat e qeveritarëve shqiptarë të cilët ishin më të zëshëm, por njëherësh edhe të presidentit Pendarovski, se ‘vëmërovistët’ kishin kontakte me Gruevskin.
Gjykuar sipas tij, janë pikërisht qeveritarët ata që e kanë vizituar Gruevskin dhe se “po luajnë lojëra të pista për t’i siguruar votat e nevojshme për ndryshimet kushtuese”.
Mediat e kështushme kohëve të fundit kanë bërë të ditur se janë pikërisht ministrat shqiptarë ata që Gruevskin e kanë vizituar në Hungari, prandaj edhe reagimet e funksionarëve të BDI-së, kanë qenë të menjëhershme për ta hedhur fajin nga ministrat e tyre, tek VMRO-ja.
Pra, sipas argumentacionit të shpalosur në median gjermane, por edhe këtu në Maqedoninë e Veriut (MV), del që fushatën kryesore për “pazare” me Gruevskin (që në përkthim i bie parapërgatitjen e kthyerjes së Gruevskit) e bartin partitë shqiptare në pushtet – që ligjin e sollën në mënyrë ekspresse, pasi paraprakisht e kishin konslutuar Gruevskin.
Si ta përkufizosh këtë punë: Shqiptarët që deri dje e shanin Gruevskin dhe s’lanë gjë të keqe pa i thënë, sot janë shndërruar në avokatë dhe përkrahës më të mëdhenjë të kthyerjes së tij! Si ta kuptojmë tani këtë punë, përvec si pazar me tendere milionëshe mes partnerëve të koalicionit qeverisës, që po zbulohen për ditë duke filluar nga skandali Soravia, tenderi 120 milionë euro etj.
Konstatimi:
Qeveritarët shqiptarë, shqiptarinë e mbrojnë me fjalë vetëm në fushatë për t’i siguruar votat, kurse kur hyjnë në qeveri gjithçka harrojnë, nëse u jepen tendere milionëshe. Madje-madje ia falin edhe të gjitha mëkatet antishqiptare Gruevskit, vetëm nëse ky i fundit me ndikimin e tij tek maqedonasit, ua siguron edhe një mandat! Për ndryshimet kushtetuese nuk çajnë shumë kokën!
Kjo sjellje e qeveritarëve shqiptarë ta përkujton atë “Sindromin e Stokholmit”, kur vetë viktima dashurohet tek dorasi (autori i krimit).
Kjo situatë, këto rrethana që po i krijojnë direkt qeveritarët shqiptarë për interese grupore, tek qytetarët shqiptarë përcjell një mesazh të trishtë: se shqiptarët qeveritarë nuk dallojnë aspak nga kasapët e shqiptarëve të cilët e kanë dëshmuar ashpërsinë e tyre të pamëshirshme ndaj shqiptarëve, kur ishin në pushtet. Pas kësaj sjellje mospërfillëse, joserioze dhë të mjerueshme ndaj qytetarëve shqiptarëve, rrjedhimisht parashtrohet një pyetje logjike: A thua kush i mbron intereset e shqiptarëve në pushtet? Çfarë duhet të bëjnë dhe a duhet t’i besojnë politikanëve shqiptarë? Fatkeqësisht, përgjigja i bie që “askush s’i mbron”! Dhe nuk e di se kujt i levërdis kjo situatë, por jam shumë i sigurtë se shqiptarëve nuk i leverdisë aspak.
Pra me fjalë tjera: Gruevski s’është i keq kur shqiptarët e kanë keq, por i keq bëhet nëse na i prish interesat! Hajër ishalla!