Në Pekin u hap të hënën konferenca e parë e nivelit të lartë e Forumit mbi Veprimin Global për Zhvillimin e Përbashkët, e organizuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Zhvillimin Ndërkombëtar e Kinës (CIDCA).
Wang Yi, drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, njoftoi në forum se Kina do të ndërmarrë veprime në gjashtë fusha për të nxitur zhvillimin global: mbështetjen e agjendës përparësore të zhvillimit, optimizimin e projekteve të zhvillimit, heqjen e pengesave për financimin e zhvillimit, zgjerimin e metodave të bashkëpunimit për zhvillimin, forcimin e bashkëpunimit trepalësh të zhvillimit dhe mbështetjen e rinive për të udhëhequr zhvillimin.
Duke folur në forum, kryeministri i ishujve Solomon Manasseh Sogavare, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kinë, e vlerësoi lart Nismën e Zhvillimit Global të propozuar nga Kina për realizimin e potencialit të vendeve të ndryshme për zhvillim. Sogavare vuri në dukje më tej se duhet kapërcyer ideja e përdorimit të ideologjisë dhe gjeopolitikës për të ndarë botën, duke qëndruar të bashkuar dhe duke vazhduar eksplorimin e rrugëve të bashkëpunimit krijues, për të zvogëluar hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.
Nisma e Zhvillimit Global ka marrë mbështetje nga mbi 100 vende dhe nga OKB-ja që kur u propozua në vitin 2021. Qëllimi i saj është të trajtojë dy çështje kryesore, siç janë përzgjedhja e projekteve dhe mbështetja me fonde.
Forcimi i bashkëpunimit për zhvillimin e palëve të treta ka treguar se Nisma e Zhvillimit Global është një platformë e hapur. Konferenca njoftoi bashkëpunimin e Kinës me Zvicrën për parandalimin dhe kontrollin e malaries në Tanzani, me Gjermaninë mbi bujqësinë në Nigeri dhe me Fondacionin “Bill & Gates” lidhur me parandalimin dhe kontrollin e malaries në vendet në nevojë.
Forumi, që kishte si temë “Nisma e Zhvillimit Global: Jehona e Agjendës së Zhvillimit dhe Thirrja për Veprim Global”, mblodhi zyrtarë qeveritarë, diplomatë e ekspertë për të diskutuar rëndësinë e Nismës së Zhvillimit Global, në sfondin e shtimit të thirrjeve për zvogëlimin e hendekut ndërmjet vendeve në zhvillim e vendeve të zhvilluara dhe për mënyrën se si vendet mund të punojnë së bashku dhe të arrijnë më mirë Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.




