Doganat kineze njoftuan të premten një urdhër ndalimi për importimin e produkteve ushqimore nga 10 prefektura japoneze për arsye sigurie, me qëllimin e parandalimit të futjes së ushqimeve të ndotura bërthamore në vend.
Ndër dhjetë prefekturat është Fukushima, ku ndodhet termocentrali bërthamor i Fukushima Daiichi, burimi i aksidentit më të rëndë bërthamor që nga fatkeqësia e Çernobilit.
Zyra e Sigurisë Ushqimore të Import-Eksportit pranë Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës (GACC) tha se dokumentet shoqëruese të certifikimit me ushqime nga pjesë të tjera të Japonisë do të rishikohen rreptësisht përpara se të lejohen të hyjnë në Kinë.
Sipas një funksionari të kësaj zyre, të gjitha produktet ushqimore japoneze që eksportohen në Kinë, veçanërisht ato ujore, duhet t’u nënshtrohen procedurave të rrepta të inspektimit.


Protesta në Japoni dhe Kore të Jugut kundër planit të shkarkimit të ujit të ndotur bërthamor(Foto:VCG)
Ai vuri në dukje se, që nga aksidenti bërthamor në vitin 2011, doganat kineze kanë vëzhguar nga afër ushqimet japoneze të eksportuara në Kinë dhe janë ruajtur nga çdo ndotje radioaktive. Kina ka ndjekur gjithashtu nga afër masat përkatëse të marra nga qeveria japoneze dhe ka kryer vazhdimisht vlerësimin e rrezikut të ndotjes radioaktive të ushqimeve japoneze, duke u përgjigjur në kohë.
Zyrtari tha se doganat kineze e kanë vënë re raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për ujin e ndotur bërthamor të Japonisë, duke theksuar se raporti nuk përfaqëson pikëpamjet e të gjithë ekspertëve të përfshirë në vlerësim dhe se ka shumë aspekte ende për t’u trajtuar, si legjitimiteti i shkarkimit, besueshmëria e pajisjeve të pastrimit, përsosmëria e planit të mbikëqyrjes etj.
Me fokusin global në planin shumë të diskutueshëm japonez për të lëshuar ujin e ndotur në oqean, doganat kineze zotohen të qëndrojnë shumë vigjilente dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur konsumatorët kinezë.(Zhang Yan/Artan)




