West Ham nuk dorëzohet, refuzon një ofertë të madhe të Cityt për Declan Rice

Declan Rice vazhdon të jetë mesfushori më i kërkuar në Angli, por edhe më i shtrenjti për momentin.

Mesfushori anglez është prioritet i dy skuadrave të para në kampionat, kampionëve të Manchester City dhe nënkampionëve Arsenalit.

Përderisa West Ham ka refuzuar tre oferta të Arsenalit, tani ka ardhur refuzimi edhe për ofertën e dytë të Manchester Cityt.

Gazeta angeze The Telegraph ka raportuar se ‘Çekanët’ kanë refuzuar ofertën e Cityt prej 90 milionë funteve (104 milionë euro) për Declan Rice.

City po konkurron me Arsenalin për të nënshkruar me Rice, por West Ham nuk e ka ndërmend ta lë atë të largohet për një çmim të ulët.

Sipas mediave angleze skuadra londineze synon që nga shitja e kapitenit të fitoj 100 milionë funte (116,4 milionë euro).

Mbetet të shihet nëse Man City dhe Arsenal do t’i përmbushin kërkesat e West Hamit, pasi dëshira e lojtarit është që të largohet dhe të luaj për një skuadër konkurruese e të luftoj për trofe.