Senati amerikan ka mbajtur dje një seancë për Ballkanin Perëndimor, ku i dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar dhe Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, janë përgjigjur për çështje të ndryshme.
Në fund të seancës, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, Bob Menendez ka deklaruar se është i shqetësuar në lidhje me arrestimin e kandidatit fitues të “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
“Unë e kuptoj se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një element kritik për demokracinë. Une jam i shqetësuar për arrestimin nga policia shqiptare dy ditë përpara mbajtjes se zgjedhjeve lokale të Fredi Belerit një nga përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri. Qeveria greke na ka konfirmuar se ky akt do të ketë një impakt negative në mbështetjen e tyre në vijim për integrimin evropian të Shqipërisë. A po zbatojnë autoritetet shqiptare normat e shtetit ligjor në trajtimin e kësaj çështjeje?”, pyet ai.
Këshilltari i DASH Chollet deklaroi se në lidhje me ngjarjen ka marrë informacione nga Athina zyrtare.
““Jemi informuar dje për këtë çështje si unë dhe asistent sekretari i shtetit Escobar nga ambasadori grek këtu në SHBA. Menjëherë pas kësaj bisede ne jemi lidhur me ambasadën amerikane në Tiranë që të na paraqesë një tablo të plotë rreth kësaj ngjarjeje seç ka ndodhur realisht atje”, tha ai.
Ndërkohë Menendez u shpreh se problemi rëndohet më tepër pasi ngjarja ka ndodhur vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
““Unë kam këmbëngulur tek autoritetet greke për njohjen e Kosovës nga Greqia por kjo që ka ndodhur në Shqipëri dy ditë para zgjedhjeve është jashtë perceptimit tim, gjithsesi le të presim sqarime të tjera në vijim rreth kësaj situate”, tha ai.