Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Berlin për bisedime kritike, pasi liderët gjermanë njoftuan për një paketë të ndihmës ushtarake në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, që synon ta ndihmojë Kievin për të luftuar kundër pushtimit të Rusisë.
“Kam arritur në Berlin”, ka shkruar në Twitter Zelensky në orët e para të 14 majit, pasi ditën paraprake qëndroi në Itali.
Zelensky është takuar me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe po ashtu është paraparë takim edhe me kancelarin Olaf Scholz. Ai po ashtu pritet të udhëtojë në qytetin Açen, për të pranuar çmimin prestigjioz Charlemagne.
Një ditë para se Zelensky të udhëtonte drejt Gjermanisë, Berlini njoftoi për paketën e re të ndihmës që përfshin tanke, sisteme kundërajrore dhe municione.
Në pakon e ndihmës përfshihen 20 makina të këmbësorisë, Marder, 30 tanke Leopard 1, 15 tanke kundërajrore Gepard, 200 dronë vëzhgues, katër sisteme kundërajrore Iris-T dhe municione, municione shtesë për artilerinë dhe mbi 200 makina luftarake dhe logjistike.




