Autoritetet e Serbisë kanë kërkuar nga qytetarët serbë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit që të mos udhëtojnë për në Serbi dhe t’i shtyjnë pushimet e tyre për kohë të pacaktuar.
Siç shkruan “B92”, transmeton lajmi.net, ky apel vlen posaçërisht për shtetasit serbë që planifikojnë të vijnë nga vende ose zona që janë të prekura me COVID-19.
“Në përputhje me masat e marra nga Qeveria e Republikës së Serbisë për të parandaluar përhapjen dhe kontrollin e sëmundjes infektive COVID-19, qytetarët që vijnë në Serbi nga fokusi i epidemisë, në veçanti nga Konfederata Zvicerane, Republika e Italisë, Republika Islamike e Iranit, Rumania, Mbretëria e Spanjës, Republika Federale e Gjermanisë, Republika Franceze, Republika e Austrisë, Republika e Sllovenisë ose Republika Greke do të dërgohen për izolim për 28 ditë”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit të qeverisë serbe, të gjithë ata që vijnë nga shtetet e tjera e që kanë probleme me sëmundje akute të frymëmarrjes do të detyrohen të qëndrojnë të vetizoluar për 14 ditë në shtëpitë e tyre në rast se nuk paraqesin simptoma të koronavirusit, transmeton më tutje lajmi.net.
Këtë vendim e ka marrë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila tha se qytetarët serbë mund të vijnë në vendlindje për shkak të festës së pashkëve ortodokse dhe katolike, e cila edhe iu bëri thirrje që të mos shkojnë në Serbi për këto festa.
Po ashtu Bërnabiq dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu kanë bërë apel qytetarëve që t’i respektojnë masat e urgjencës.
“Ajo që do të jetë sfida më e madhe për ne janë Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse. Unë kërkoj nga qytetarët tanë në diasporë të kuptojnë se ata nuk duhet të vijnë në vendin tonë”, deklaroi Bërnabiq në një konferencë për medie.