Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, nëpërmjet një shkrimi në fejsbuk ka bërë të ditur se ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10D po realizohet dhe se opozita po manipulon me lajme të rreme për pagesa të penaleve që duhet të paguaj shteti ndaj konzorciumit Bechtel – Enka. Ai akuzon opozitën se ajo ose nuk di të lexojë kontratat ose me qëllim shpërndan lajme të rreme për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D. Grubi e sfidon opozitën duke e ftuar që nëse deri në datën 6 maj nuk paguhen ato mjete të pretenduara nga opozita si penalitet, atëherë opozita duhet të largojë bllokadën e ligjeve për ta lehtësuar dhe shpejtuar ndërtimin e autostradave.
Shkrimi i plotë i zëvendëskryeministrit Grubi:
Kryetari i partisë opozitare tha që me 22 prill duhet të paguhen 53 milion euro “penallti” ndaj konzorciumit Bechtel – Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D.
Kjo nuk ndodhi!
Dje, ai përsëri dha një informacion ndryshe, që me 6 maj do të bëhet pagesa e “penalltive” inekzistuese.
Edhe kjo nuk do të ndodh!
Opozita ose nuk di ta lexon kontratën, ose nuk e kupton kontratën ose thjeshtë prodhon lajme të rreme çdo ditë kundër ndërtimit të autostradave.
Stop lajmeve të rreme dhe propagandës!
Ja një sfidë, nëse deri me 6 maj nuk paguhen ato mjete të pretenduara nga opozita, të cilat me që ra fjala, duheshte të paguhen edhe me 22 prill sipas opozitës, atëherë, le ta largojnë bllokadën e ligjeve për ta lehtësuar dhe shpejtuar ndërtimin e autostradave.
Ta përsëris: Lajmet e rreme dhe bllokada e opozitës në Kuvend nuk e ndalon dot ndërtimin, vetëm e shtrenjton dhe e zgjat.
Edhe një herë: Varet nga deputetët nëse autostradat do të ndërtohen më shpejtë dhe më lirë ose më ngadalë dhe më shtrenjtë.
Bllokada e pakuptimtë dhe pa asnjë arsye e opozitës në Kuvend mund ti kushton qytetarët mbi 100 milion euro dhe dy vite vonesë në ndërtimin e autostradave.
Kjo është e papërgjegjshme dhe e papranueshme!




