Kriza e Sudanit rrezikon të bëhet në makth për botën

Ish-kryeministri i Sudanit Abdalla Hamdok ka paralajmëruar se konflikti në vendin e tij mund të bëhet më i keq se ai në Siri dhe Libi. Luftimet midis ushtrisë së rregullt dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) do të ishin një “makth për botën” nëse do të vazhdonin, tha ai.

Të dielën, avionë luftarakë dhe zjarr i rëndë kundërajror u dëgjuan mbi kryeqytetin Khartoum, thanë banorët.

Ushtria tha se po sulmonte nga të gjitha drejtimet, duke përdorur artileri të rëndë.

Luftimet që nisën më 15 prill kanë lënë qindra të vdekur, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz po largohen nga vendi.

Numri i viktimave të civilëve u rrit të shtunën në 411 persona, sipas Sindikatës së Mjekëve të Sudanit, e cila monitoron viktimat. Në disa zona brenda dhe përreth kryeqytetit, banorët raportuan se dyqanet po rihapen dhe normaliteti po kthehej gradualisht, ndërsa shkalla e luftimeve u zvogëlua pas armëpushimit të lëkundshëm. Por në zona të tjera, banorët e tmerruar raportuan shpërthime që gjëmonin rreth tyre dhe luftëtarët plaçkitën shtëpitë.

Në javën e tretë, luftimet kanë plagosur 2,023 civilë, shtoi sindikata, megjithëse numri i vërtetë pritet të jetë shumë më i lartë.