Nuk ka më ethe afrikane tek derrat në vendin tonë dhe nëpër të gjitha komunat është ndërprerë zbatimi i masave për mbrojtje, njoftojnë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari. Rezultatet e mostrave nga kontrollet klinike kanë rezultuar negative, janë eliminuar të gjitha vatrat e sëmundjes, me çka tani më mund të bëhet ripopullimi i fermave të derrave.
“Mund të njoftojmë si agjenci se masat që i zbatonim për mbrojtje, parandalim dhe shpërndarje të kësaj sëmundje nuk janë në fuqi më në asnjë komunë dhe asnjë rajon. Me këtë në territorin e tërë vendit mund të bëhet ripopullimi i fermave të derrave, në bazë të kushteve të definuara, të cilat janë të përshkruara në rregulloren e masave për shkatërrim dhe çrrënjosim të etheve afrikane te derrat.”- deklaoi Nikollçe Babovski, drjetor i AUV.
Babovski theksoi se edhe përkundër heqjes së ndalesës për mbarështimin e derrave, ripopullimi i derrave në ferma mund të bëhet vetëm nëse shtazët vijnë nga vende që i përmbushin masat e biosigurisë dhe fermerët duhet të posedojnë certifikatë për gjendjen shëndetësore të tyre.
“Duhet të kenë dokument adekuat apo certifikatë për gjendjen shëndetësore të shtazëve që duhet të lëvizin ose vendosen në ferma. Këtë certifikatë fermerët janë të obliguar që në afat 24 orë ta dorëzojnë në Shoqatën e veterinarëve, ndërsa kjo e fundit në afat prej 48 orësh duhet që këto të dhëna t’i fus në sistemin informatik të Agjencisë për ushqim dhe veterinari.”- Nikollçe Babovski, drjetor i AUV.
Nga fillimi i kësaj sëmundjeje në vendin tonë më saktë nga 1 qershori i vitit të kaluar janë shkatërruar 4216 derra nga gjithsej 416 vende për mbarështim. Drejtori i agjencisë apelon për kujdes nga të gjitha palët si gjahtarët, fermerët po edhe institucionet, me qëllim mbrojtjen nga ky virus i rrezikshëm.






