Spanja do të përpiqet për anëtarësimin e vendit në BE. Ministri i Jashtëm spanjoll viziton Maqedoninë e Veriut

Ardhja e ministrit të jashtëm të Spanjës për vizitë në Maqedoninë e Veriut është njoftim për qytetarët e vendit se Spanja do të bëjë përpjekje maksimale për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Vendi i tij do të kryesojë me BE-në në gjysmën e dytë të këtij viti. Albarez u shpreh se Maqedonia dhe i gjithë Ballkani Perëndimor meriton të bëhet pjesë e BE-së.

“Këtu jam në një turne në Ballkanin Perëndimor dhe duam të promovojmë interesin e Spanjës edhe në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian që do të jetë temë shumë aktuale me mbështetjen tonë nga korriku i këtij viti. Kanë kaluar shumë vite para se të vjen një ministër i punëve të jashtme i Spanjës në këtë rajon dhe duam të përforcojmë bashkëpunimin tonë dhe të hapim negociatat. Hapja e negociatave vitin e kaluar është hap jashtëzakonisht i madh. Spanja e mbështetë përcaktimin e Ballkanit Perëndimor si dhe integrimin progresiv”, tha Jose Manuel Albarez, ministri i Jashtëm i Spanjës.

Homologun spanjoll në kabinet e priti ministri i jashtëm i vendit Bujar Osmani, i cili theksoi se vizita po bëhet një vit para shënimit të 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe është mesazh i fuqishëm për mbështetjen e vendit tonë në rrugën evropiane.

“Për herë të parë vendimi për vazhdimin e integrimit është transferuar këtu në vend. Ndryshimet kushtetuese me automatizëm pa vendime shtesë të këshillit të BE-së, sigurojnë vazhdimin e negociatave përmes hapjes së klastereve dhe kapitujve. Nuk kam asnjë dyshim se kjo është zgjedhje e duhur për vendin dhe ky është mesazhi që po marrim nga gjithë miqtë tanë madje edhe sot nga kolegu Albarez. Për këtë qëllim sot nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës për zhvillimin e bashkëpunimit në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian”, tha Bujar Osmani, Minisër i Punëve të Jashtme.

Dy palët nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi për zhvillim të bashkëpunimit në procesin e inkuadrimit në Bashkimin Evropian. Në takim ministrat diskutuan gjithashtu për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, mbështetjen e ndërsjellë në organizatat shumëpalëshe dhe bashkëpunimin sektorial ndërmjet dy vendeve, si dhe shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nismat rajonale si formë e rritjes së besimit të ndërsjellë dhe tejkalimin e hapjes së çështjeve dypalëshe mes fqinjëve.