Ditët e fundit, Instituti i Studimit të Politikave i CGTN-it pranë Grupit Mediatik të Kinës, bashkë me Shkollën e Qeverisjes dhe Mendimit Publik të Universitetit Renmin të Kinës, zhvilluan një sondazh ndërkombëtar me temë “Demokracia globale”. Sipas rezultatit të sondazhit, të pyeturit në mbarë botën u kushtojnë më shumë rëndësi së drejtës së jetës e të zhvillimit, dhe 84.8 % mendojnë që sistemi demokratik që përshtatet me gjendjen e vendit, është më i miri.
Për rëndësinë e sistemit demokratik, pjesëmarrësit në sondazh zgjodhën “të drejtën bazë të jetës” në vend të parë, pikërisht 40.7 % e tyre. Në vend të dytë, me 29.3 %, vjen e drejta ligjore që “të gjithë janë të barabartë”, ndërsa të drejtat ekonomike për “zhvillim ekonomik” dhe “ngritjen e nivelit të jetesës” janë në vendin e 3-të dhe të 4-tin përkatësisht me 29 % dhe 28.4 %
Në këtë sondazh, 84.3 % e të pyeturve mendojnë që demokracia nuk ka të njëjtën formë dhe ka modele të ndryshme në vende dhe kultura të ndryshme. 84.8 % mendojnë që, kur zgjidhet sistemi politik, duhet të mbahet parasysh historia, kultura dhe kushtet e vendit. Nuk ka demokraci superiore ose që përshtatet për të gjithë. 86.8% e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë që, në marrëdhëniet mes tyre, vendet duhet të respektojnë njëra-tjetrën dhe të kërkojnë pikat e përbashkëta duke lënë mënjanë dallimet.
88.3 % e të pyeturve janë të mendimit që demokracia do të thotë që liderët të reflektojnë dëshirat e popullit, t’i shërbejnë popullit dhe të mbikëqyren nga populli. Ky mendim arrin 91.2 % ndër pjesëmarrësit nga Amerika Veriore. Ndërkohë, 81.5 % mendojnë që demokracia duhet të mbulojë të gjitha anët e jetesës së popullit dhe të gjithat çështjet publike duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike. Krahas kësaj, për 86.7 % të të pyeturve, sistemi demokratik duhet të marrë parasysh kërkesat e të gjithë popullit dhe jo të grupeve të posaçme, duke pasur veçanërisht në qendër të vëmendjes grupet më të dobëta, dhe duhet të zgjerojë platformat e përfaqësimit të tyre. Në këtë sondazh, 87.3 % besojnë që duhet t’u kushtohet rëndësi si zgjedhjeve demokratike, ashtu edhe menaxhimit pas zgjedhjeve. Të dyja kanë të njëjtën rëndësi dhe duhet të jenë të pamungueshme.
Në dekadat e fundit, Kina ka nxitur ndërtimin e demokracisë popullore në mbarë procesin dhe ka realizuar pjesëmarrjen e gjerë e të vazhdueshme të pjesës dërrmuese të popullit. Në këtë sondazh është njohur dhe pranuar gjerësisht koncepti thelbësor për demokracinë popullore në mbarë procesin. 75.4 % e të pyeturve globalë mendojnë që, Kina ka pasur arritje të dukshme zhvillimi.
Sondazhi “Demokracia globale” përfshiu 3776 pjesëmarrës prej 35 vendeve të botës, qoftë të zhvilluara, si ShBA-ja, Britania, Franca e Gjermania, ashtu edhe vende në zhvillim, si Namibia, Nigeria dhe Pakistani.




