Kurti tregon se mbi çfarë shtyllash propozoi të themelohet Asociacioni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se në bisedimet e të shtunës në Ohër kishte propozuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe mbi tri shtylla. Porse, ky propozim ishte refuzuar në mënyrë kategorike nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për këtë formulimin vetëmenaxhim e në anën tjetër edhe për marrëveshjet e trashëguara, por që kanë pësuar rrëzim nga institucionet e shtetit tonë, si Gjykata Kushtetuese apo që janë shkelur nga Serbia, kam bërë një ofertë konkrete, duke iu thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike si: Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, një qëndrim të Brukselit zyrtar dhe një tjetër të Washingtonit, atëherë jam i gatshëm me këto premisa ta shkruajë draftin e propozuar. Porse, u thash se duhet pajtuar me premisat. Nuk pati dakordim të përfillen tri shtyllat. U thash se nëse pajtohen në mëngjesin tjetër ua sjelli draftin, por u refuzua. Jo vetëm që u refuzua, por në atë momente u tha nuk kemi çfarë të flasim më tutje ‘po humbim kohë, të ngrihemi nga ky takim e të shkojmë’. Ishte refuzim shumë i ashpër i një oferte gjeneroze e parimore”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Për ofertën e Kurtit kishte treguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media të dielën.

Vuçiq kishte thënë se Kurti propozoi që Asociacioni të themelohej duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, një deklaratë që ish-ndërmjetësuesja Federica Mogherini ia kishte dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe një vështrim i publikuar nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan, Derek Chollet, që është publikuar ekskluzivisht në KOHA.

Kurti ka folur edhe për mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë.

“Janë 39 marrëveshje gjithsej nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht të vitit 2015. Për 4 vjet e më paak se një muaj janë gjithsej 39 marrëveshje. Marrëveshja e pestë është ajo e regjistrave kadastral, e 16-ta e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që është nënshkruar më 19 prill 2013. Gjashtë pikat e para e ka këtë vijimin e inkuadrimit të strukturave të atëhershme paralele të Serbisë në institucionet e Kosovës dhe të mos pengojmë njëri-tjetrin për anëtarësimi në BE. Kjo si pikë e fundit është shkelur nga Vuçiqi, e është avancuar tashmë me Marrëveshjen bazë më 27 shkurt. Thuhet se Serbia të mos pengojë Kosovën në anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha Kurti. “Të gjitha marrëveshjet janë grumbull i madh i trashëguar e mbi 2/3 nuk i zbaton Serbia”.

Ai ka thënë se ka pasur edhe deklarata të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që nuk do të zbatojë as ato që u dakorduan më 27 shkurt e 18 mars.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithëve që të shfrytëzojnë ditën e sotme, që është e fundit për aplikim në zgjedhjet në komunat veriore.

“Ftoj të gjithë politikanët, partitë politike, që duan të angazhohen në vendin tonë të përbashkët, përfshirë edhe ata nga komuniteti serb ta shfrytëzojnë ditën e fundit për kandidim për 22 mars 2023. Është me rëndësi të gjithë ata që duan të angazhohen për politika publike në nivelin komunal në katër komunat në veri e që duan të përfaqësojnë politikisht interesat e qytetarëve, në këtë rast të pakicës serbe, të shfrytëzojnë orët e fundit të mundësisë për të aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se u ka bërë thirrje gjithë serbëve që të aplikojnë për t’iu bashkuar institucioneve të Kosovës.

“Unë nuk kam bërë thirrje për kthimin e tyre në instituciuone, por kam bërë thirrje disa herë për aplikim të ri të gjithë atyre që janë të interesuar, jo vetëm në politikë, por edhe shërbime publike, si polici, shëndetësi, arsim e kështu me radhë. Gjithë serbët e kanë të drejtën si qytearë të vendit tonë. Por, atij që hodhi uniformën e Republikës së Kosovës s’i them dot të kthehet. E as atij që mori medalje në Beograd pas dorëheqjes. Por, të tjerët që janë të interesuar padyshim që e mirëpresim aplikimin e tyre. Me ato informata që kam nga Ministria e Brendshme sa vjen e rritet aplikimi i serbëve në këto kohë, madje edhe konvertimi i targave”, ka thënë Kurti.