Ligjvënësit e BE-së kërkojnë nga UEFA largimin e Bjellorusisë nga EURO 2024

Në grupin I ku gjendet Bjellorusia janë edhe Izraeli, Rumania, Andorra dhe Kosova.
Sipas raportimeve të fundit, një grup prej më shumë se 100 ligjvënësish të Bashkimit Evropian po i kërkojnë organit qeverisës të futbollit evropian të ndalojë Bjellorusinë të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2024, transmeton lajmi.net.

Eurodeputetët nga i gjithë spektri politik shkruan në një letër dërguar presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, se ekipi kombëtar i Bjellorusisë nuk duhet të jetë në gjendje të konkurrojë për shkak të historisë së tmerrshme të të drejtave të njeriut në vend.

“Këto nuk janë vetëm vlerat e UEFA-s në lojë, por edhe reputacioni dhe imazhi i UEFA-s brenda shoqërive demokratike dhe komunitetit ndërkombëtar”, thanë ata.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në luftën e tij kundër Ukrainës. Rusia përdori territorin bjellorus për të dërguar trupa në Ukrainë më shumë se një vit më parë në fillim të luftës.

Rusia, e cila tashmë është e përjashtuar nga garat e UEFA-s dhe FIFA-s, ka mbajtur trupa dhe armë në Bjellorusi dhe të dy vendet kanë kryer rregullisht stërvitje të përbashkëta si pjesë e aleancës së tyre ushtarake.