Sulm në Gjermani, disa të vrarë

Të paktën 6 persona janë vrarë, në një sulm me armë që ka ndodhur të enjten mbrëma në qytetin Hamburg të Gjermanisë, kanë raportuar mediat në Gjermani, duke cituar Policinë dhe shërbimet emergjente. Siç shkruan mediumi gjerman Bild, 25 persona të tjerë janë plagosur. S’dihen ende motivet e sulmit.

Sipas BBC-së, të shtënat me armë kanë ndodhur në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën Alsterdorf, ndërsa autoritetet policore kanë thënë se hetimet po vazhdojnë.

Ekipet e ambulancës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 21:00 sonte, një ose disa persona të panjohur qëlluan disa njerëz në një kishë. Rrugët në vendngjarje janë mbyllur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa Policia iu ka bërë thirrje qytetarëve të zonës që të rrinë mbyllur.

Autoritetet policore thanë se një person i armatosur besohet të jetë në mesin e të vrarëve.

“S’kemi të dhëna për ndonjë autor të krimit që gjendet në arrati”, deklaroi zëdhënësi i Policisë, duke shtuar se kryerësi mund të jetë vrarë në objektin ku ndodhi rasti.

 

Kryetari i bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher, tha se sulmi ishte tronditës.

“Shërbimet e urgjencës janë duke punuar për të gjetur autorin dhe për të sqaruar sfondin,” tha ai.