BE: Kosova dhe Serbia, të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes

FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels, Belgium May 5, 2021. REUTERS/Yves Herman/File Photo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit këtyre dy vendeve.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e propozimit të BE-së, i titulluar tashmë si “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.

Sipas informacioneve që ka siguruar REL-i, propozimi i BE-së përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Vuçiq tha se takimi me Kurtin ka qenë “i vështirë”. Ai tha se nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, por “për krijimin e planit të zbatimit”.

“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.

“Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiq.

“Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, shtoi ai.

Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiq u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e ka parë takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk ka pasur diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u është dorëzuar palëve qysh në fund të verës, është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.

Sipas tyre, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022 dhe nuk ka më nevojë të flitet për të.

Një version të përditësuar të propozimit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por, sipas një drafti që ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh, mes tjerash, të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Propozimi nuk përfshin njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.

Një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk e kanë të lehtë ta arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e këtij propozimi, por, sipas tij, nuk kanë zgjidhje më të mirë.

Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti se me këtë propozim – sipas interpretimeve të BE-së – Serbia de facto e njeh Kosovën.

Për më tepër, Vuçiq besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë atë.

Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se Kosova nuk mund të themelojë asociacion njëetnik; Vuçiq insiston në themelimin e tij.

Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin./REL