Princ Harry pretendon se kishte materiale të mjaftueshme për të shkruar “dy libra” por që nuk mund t’i thoshte dot të gjitha pasi, babai dhe vëllai i tij nuk do ta falnin kurrë. Ai tha se ka disa gjëra që “thjesht nuk do që bota t’i dijë”, ndërsa shtoi se donte një falje për Meghan nga anëtarët e familjes së tij.
“Spare”, libri i shkruar nga Princ Harry dhe i botuar këtë javë është bërë një nga librat më të shitur dhe më të komentuar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar.
Libri përshkruan një listë të gjatë ankesash kundër Familjes Mbretërore, si dhe traumat e pazgjidhura për vdekjen e nënës së tij, luftën e tij me shëndetin mendor, jetën e izoluar që bëri para se të takohej me Meghan dhe prishjen e marrëdhënieve me anëtarët e familjes.
Pallati Kensington dhe Pallati Buckingham kanë thënë se nuk do të komentojnë përmbajtjen e tij.
Në një intervistë, Princ Harry tha se ai nuk “po përpiqej të rrëzonte monarkinë”, por “po përpiqej t’i shpëtonte ata nga vetja”.
Princ Harry tha se ishte e pamundur të tregonte historinë e tij pa anëtarët e familjes së tij në të, sepse ata luajnë një rol kaq vendimtar në jetën e tij.
“Por ka disa gjëra që kanë ndodhur, veçanërisht mes meje dhe vëllait tim, dhe deri diku mes meje dhe babait tim, që unë thjesht nuk dua t’i dijë bota. Sepse nuk mendoj se ata do të më falnin ndonjëherë ”, tha ai.
Ndër pretendimet e bëra në libër, Princi Harry tha se vëllai i tij e përshkroi Meghan si “të vështirë”, “të vrazhdë” dhe “gërryes”. Princi Harry gjithashtu akuzoi vëllain e tij se e kishte sulmuar fizikisht.




