I dyshuari për plagosjet në Shtërpcë është pjesëtar i FSK-së, arrestohet nga policia

Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë. Policia Rajonale e Ferizajt, ka njoftuar se pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K i moshës 33 vjeçar.

Policia Rajonale e Ferizajt, pas arrestimit të A.K i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë, ka bërë të ditur se është konfiskuar arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

“Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari”, ka njoftuar Policia.

I dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

Mehaj ka thënë se i dyshuari A.K. 33 vjeçar do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka shprehur keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë.

“Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka shkruar ai.

Ndryshe, mesditën e së premtes janë dëgjuar të shtëna me armë në fshatin Gotovush të Shtërpcës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga këto të shtëna kanë mbetur të plagosur dy persona, sipas policisë, të plagosur kanë mbetur një 11 dhe 31 vjeçar.