Presidenti Pendarovski uron Vitin e Ri

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festave të Vitit të Ri, u dërgoi një urim qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Ju uroj një vit më të mirë dhe më të qetë. Vitin e kaluar ishim dëshmitarë të sfidave të sigurisë, ekonomike dhe energjetike që kanë rritur pabarazinë dhe kanë ngritur frikën për stabilitetin afatgjatë. Mirëpo, në vitin që lamë pas dëshmuam për humanizmin e njerëzve me vullnet të mirë, të cilët përveç nevojave të tyre kujdeseshin edhe për nevojat e të tjerëve. Këta heronj të solidaritetit dhuruan ushqime, veshmbathje dhe ilaçe dhe dhanë kohën dhe vëmendjen e tyre për të mbështetur ata që kanë nevojë më shumë për ndihmë. Shumë prej tyre avokuan në mënyrë aktive për drejtësi sociale dhe një shoqëri me mundësi të barabarta për të gjithë. Duke na rikthyer shpresën në të mirën e përbashkët, na kujtojnë se kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe se jemi përgjegjës për njëri-tjetrin”, thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.

Ai thekson se shteti është vendi që mund ta ndërtojmë vetëm së bashku, të bashkuar rreth vizionit të një shoqërie humane, të drejtë dhe të begatë në të cilën do të ketë vend për të gjithë.

“Për të arritur qëllimin e përbashkët për të cilin jemi përpjekur që nga fillimi i pavarësisë së Maqedonisë, duhet përkushtim dhe shpresë se do të jetë më mirë. Në vitin e ri 2023 ju uroj gëzim në zemër, paqe në shpirt dhe shpresë në jetë, ndërsa bashkë me ta shumë shëndet e suksese në çdo fushë. Gëzuar Vitin e Ri 2023!”, thotë presidenti Pendarovski.