I riu nga Maqedonia gjendet i vdekur në Bullgari

Trupi i pajetë i një 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është gjetur më 17 dhjetor rreth orës 21:00 në afërsi të qendrës tregtare “Paradajs” në Sofje.

Mediat bullgare raportojnë se trupi i pajetë është dërguar në Departamentin e mjekësisë ligjore. Për rastin është nisur procedurë parahetimore. Sipas konstatimeve fillestare, në trupin e shtetasit maqedonas nuk ka gjurmë dhune dhe me shumë gjasa bëhet fjalë për mbidozë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, informoi se menjëherë pas marrjes së informatës për gjetjen e shtetasit tonë S. S. në Republikën e Bullgarisë, përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje, i ka kontaktuar organet kompetente, nga ku i ka marrë informacioniet e para për rastin.

Përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme tashmë është kontaktuar me familjen e të ndjerit, e cila në mënyrë adekuate është njoftuar për rastin.

Në kumtesën e MPJ-së thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada në Sofje janë në dispozicion për komunikim dhe ndihmë, si dhe në komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me autoritetet kompetente të Bullgarisë që po e kryejnë hetimin.