Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka komentuar mungesën e Karim Benzema në Kupën e Botës.
Benzema mbrëmë pësoi lëndim në seancën stërvitore me Francën, andaj do jetë jashtë Kampionatit Botëror.
Lajmin e kanë konfirmuar kombëtarja dhe vetë lojtari, transmeton lajmi.net.
Lidhur me mungesën e yllit të Real Madridit, ka komentuar edhe trajneri i ‘Gjelave’, duke thënë që është i trishtuar, pasi sulmuesi e kishte bërë Botërorin një objektiv madhor.
“Jam jashtëzakonisht i trishtuar për Karimin, i cili e kishte bërë këtë Botëror një objektiv madhor”, tha fillimisht ai.
Përveç Benzemas, Franca do përballet edhe me mungesa të tjera të mëdha, por trajneri ka besim të lojtarët e tij në të cilët mund të llogarisë.
“Pavarësisht kësaj goditjeje të re për ekipin francez, unë kam besim të plotë në grupin tim. Ne do të bëjmë gjithçka për të përballuar sfidën e madhe që na pret”, përfundoi ai.
Benzema ishte golashënuesi më i mirë i Francës në Kupën e Botës 2014, por nuk luajti në fushatën fitimtare të Francës në Kupën e Botës 2018. Trajneri i Francës Deschamps e ftoi atë për Kampionatin Evropian të vitit të kaluar, ku ishte golashënuesi më i mirë i Francës me katër gola.




