Trajneri i Belgjikës pranon se Lukaku nuk është ende i gatshëm të ndihmojë kombëtaren

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez pranon se sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku mund të jetë plotësisht i aftë vetëm për ‘pjesën e dytë’ të Kupës së Botës.
Lukaku është ftuar nga kombëtarja e tij për Katar 2022, por është paraqitur vetëm në pesë ndeshje në nivel klubi këtë sezon.

Ai u rikthye pas gati dy muajsh në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Viktoria Plzen në fillim të këtij muaji, por pësoi një tjetër lëndim në ndeshjen e radhës në Serie A me Sampdoria.

“Romelu nuk është në gjendje të mirë mjekësore, mendoj se është e qartë. Romelu po merr trajtim dhe ka mundësinë që të jetë plotësisht në formë para ndeshjes sonë të parë”, tha Martinez në një konferencë për shtyp, përcjell lajmi.net.

“Siç e dini, Kupa e Botës ka dy faza të ndryshme, njëra është faza e grupeve, e vetmja për të cilën mund të përgatitemi.

“Pastaj është faza e eliminimit. Nga pikëpamja mjekësore, mendojmë se Lukaku mund të bëjë pjesën e dytë, duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të mendojmë për të gjithë skenarët e mundshëm, mendojmë se ai mund të ketë një ndikim të madh në këtë Botëror”.

Rikujtojmë që belgët janë në grupin F, me Kroacinë, Kanadanë dhe Marokun.