Akoma nuk ka ndodhur redaktimi i raportit nga llogaridhënia e ministrave të BDI-së në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie që u mbaj ditën e shtunë. Gazeta LAJM mëson se një takim i caktuar të dielën pasdite për këtë çështjë është anuluar për shkak të pakënaqësive brenda anëtarëve të caktuar për ta kryer redaktimin. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti paralajmëroi se redaktimi i raportit do të bëhej nga tre zyrtarë të lartë, sekretari i përgjithshëm Faton Ahmeti, nënkryetari Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. Por, nënkryetari, Arbër Ademi, thotë se redaktimi i raportit do të ndodhë, ndonëse nuk e di kur.
“Kryetari Ali Ahmeti ka angazhuar tre zyrtarë të lartë të BDI-së për redaktim të raportit të ekzekutivit dhe atë, sekretari general i BDI-së, Faton Ahmeti, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti dhe zv.kryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi. Redaktimi i raportit duhet të ndodh dhe se raportet e këtilla me shkrim kaq mirë të përgatitura, ku kemi llogari për çdo punë që e ka kryer ekzekutivi duhet të shndërrohen në praktikë”, u shpreh nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
LAJM: Pse nuk u redaktuar raporti deri tani?
Arbër Ademi: Nuk mund të ndodh redaktimi në momentin që diskutohet. Është biseduar mjaftë për raportin, është plotësuar nga diskutime që kanë rrejdhur. Redaktimi duhet të pasojë pas mbledhjes. Dhe raportin do ta ndajmë me mediat dhe komunitetin ndërkombëtarë sepse për herë të parë e bën një parti politike dhe duhet përshëndetur nga të gjithë.
Burime brenda BDI-së i thanë gazetës Lajm se në mbledhjen e kryesisë së BDI-së që u mbajtë të shtunën, nënkryetari Izet Mexhiti, sekretari organizativ Blerim Bexheti, anëtari i Këshillit mbikëqyrës, Musa Xhaferi, kryetari i forumit rinor, Avni Rustemi, Nevzad Bejta, Florim Ramadani dhe funksionarë tjerë partiak kanë kritikuar ashpër punën e ministrave të BDI-së dhe nuk kanë miratuar raportin e ministrave të kësaj partie.
Në shenjëstër të kritikave ka qenë zv.kryeministri i parë Artan Grubi. Veç kritikave të shumta, të pakënaqurit kanë kritikuar ministrat e BDI-së edhe për mospërdorimin e gjuhës shqipe gjatë mbajtjes së seancave qeveritare.




